October 2026
M T W T F S S
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031  
October 10, 2026

futbolliinfo

Kampionia e Kosovës në futsall, Prishtina 01, ka realizuar një paraqitje shumë të mirë në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në UEFA Futsal Champions League, duke barazuar 3:3 ndaj skuadrës kampione të Letonisë, Riga Futsal Club. Takimi u zhvillua në një atmosferë mjaft të mirë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ku përkrahja e tifozëve ishte gjithashtu një shtysë e rëndësishme për kampionët tanë drej rezultatit pozitiv. Prishtina 01 e nisi ndeshjen në mënyrë të shkëlqyeshme, duke kaluar në epërsi me golat e Drilon Maxharrajt në minutat 6’ dhe 10’. Por mysafirët arritën të barazojnë shifrat me golat e Viktors Kuļepovs (19’) dhe Daniel Airoso (32’). Prishtina 01 e riktheu epërsinë me golin e Ramadan Alaj në minutën 34-të, por letonët barazuan përmes Jose Marquardt (38’). Sidoqoftë, gjithçka mbetet e hapur dhe kampioni ynë ruan shanset për një kualifikim historik në çerekfinale të garës prestigjioze të futsallit evropian, ku ndeshja e kthimit zhvillohet më 5 dhjetor, në Riga të Letonisë. Nëse Prishtina 01 e kalon skuadrën letonase, në çerekfinale do të përballet me fituesin e çiftit Hit Kyiv (Ukrainë) – Palma Futsal (Spanjë), me këtë të fundit që është kampione në fuqi e Evropës.

U mbajt dita e dytë e trajnimit për futbollin amator, me punonjësit e Lidhjeve rajonale, trajnerët e Grassroots dhe Departamentin e futsallit si sport amator. Ky trajnim, i dedikuar për bashkëpunëtorët e jashtëm kishte për qëllim thellimin e njohurive profesionale dhe harmonizimin e praktikave të përbashkëta në zhvillimin e futbollit bazik dhe futsallit në nivel vendi. Gjatë ditës së sotme u diskutuan standardet moderne të futbollit amator dhe futsallit, me fokus në organizimin e aktiviteteve, rritjen e cilësisë së punës në terren dhe zbatimin e udhëzimeve të fundit nga FIFA dhe UEFA. Pjesëmarrësit patën mundësi të shkëmbejnë përvoja dhe të marrin këshilla profesionale nga përfaqësuesit e FIFA-s e UEFA-s, Vladimir Luptar dhe Tomas Danilevicius për krijimin e një mjedisi sa më të sigurt dhe të qëndrueshëm për zhvillimin e futbollit bazik. Gjatë trajnimit u theksua rëndësia e futbollit dhe futsallit amator si motor i pjesëmarrjes masive, edukimit sportiv dhe zhvillimit të talentëve të rinj, si dhe roli i bashkëpunëtorëve rajonalë e trajnerëve në forcimin e aktiviteteve komunitare. Përfaqësuesit e FIFA-s vlerësuan angazhimin e FFK-së në implementimin e programeve Grassroots dhe zhvillimin e futbollit amator në vend, sidomos për zbatimin e formatit të ri të zhvillimit të garave te fëmijët, i cili përfshin numër më të vogël futbollistësh, në mënyrë që të rriten prekjet me topin, përmasat e përshtatura të fushës si dhe sistemin garues.