Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i Federatës së Futbollit të Kosovës ka shqiptuar dënime për nëntë futbollistë dhe zyrtarë pas shqyrtimit të rasteve disiplinore nga ndeshjet e fundit të garave në futbollin kosovar.
Në mbledhjen e mbajtur më 24 nëntor, Komisioni shqyrtoi raportet e zyrtarëve të ndeshjeve dhe incizimet televizive, pas përfundimit të xhiros së 14-të të Albi Mall Superligës, xhiros së 17-të të Raiffeisen Ligës së Parë, si dhe ndeshjeve të ligave të tjera.
Nga dy ndeshje moslojë kampionale janë dënuar futbollistët Erion Idrizi i Drenicës, Egzon Sinani i Dukagjinit dhe Jetart Kastrati i Kikës, të cilët u ndëshkuan me kartonë të kuq direkt si lojtarë të fundit.
Me nga dy ndeshje janë dënuar edhe Bleron Hashani i KEK-ut, për sjellje josportive, si dhe portieri Anik Luri i Dinamos, po ashtu për sjellje josportive.
Komisioni ka shqiptuar dënime edhe për zyrtarët e klubeve. Drejtori sportiv i Fushë Kosovës, Arton Rushiti, është dënuar me dy ndeshje mosushtrim të detyrës zyrtare për reagime josportive.
Me të njëjtin dënim janë ndëshkuar edhe trajneri i Pejës, Fisnik Gashi, dhe trajneri i Trepçës ’89, Lavdim Behxheti, për ofendime ndaj gjyqtarëve.
Dy ndeshje moslojë kampionale ka marrë edhe Lenti Dervishi i Feronikelit 74, pas kartonit të kuq për ndërhyrje si lojtar i fundit në ndeshjen e Ligës së Parë U19.