Paris Saint-Germaini është seriozisht i interesuar për transferimin e sulmuesit argjentinas Julian Alvarez nga Atletico Madridi.
Pas interesimit të mëparshëm të Barcelonës, e ardhmja e Alvarezit mund të jetë sërish temë kryesore në afatin kalimtar të janarit, pasi kampionët francezë po shqyrtojnë mundësinë për ta transferuar atë.
Trajneri Luis Enrique ka kërkuar përforcime në repartin ofensiv, pas lëndimeve të rënda të Khvicha Kvaratskhelias dhe Desire Doue, të cilët pritet të mungojnë deri në fund të sezonit.
Për këtë arsye, PSG-ja e sheh Alvarezin si një prej objektivave kryesorë për afatin kalimtar të dimrit.
Sipas raportimeve, klubi francez është i gatshëm të ofrojë deri në 130 milionë euro për sulmuesin argjentinas, shumë që Atletico Madridi e kishte kërkuar edhe gjatë verës për klubet jashtë Spanjës.
Alvarez, ndërkohë, ka rifituar vendin në formacionin titullar të Atletico Madridit dhe marrëdhëniet me klubin madrilen duket se janë stabilizuar.
Megjithatë, oferta e mundshme e PSG-së mund ta ndryshojë situatën.
Në listën e përforcimeve të mundshme të parisienëve përmenden edhe sulmuesi i Romës, Donyell Malen, dhe lojtari i Benficas, Gianluca Prestianni, por Alvarez mbetet emri më i madh që lidhet me kampionët francezë.