September 8, 2026, Rome, Rome, ITALY: Francesco Totti, advisor to Maxima Roma. Press conference for the presentation of the new Roman basketball club, Maxima Roma, Rome, September 8, 2026.,Image: 1132477830, License: Rights-managed, Restrictions: * Italy Rights Out *, Model Release: no , Credit line: Riccardo De Luca / Agf / Zuma Press / Profimedia
Legjenda e Romës, Francesco Totti, ka bërë një rrëfim tejet emocional, duke folur hapur për raportin me klubin që ia shënoi karrierën, njerëzit që e shfrytëzuan famën e tij dhe fundin e martesës me Ilary Blasi.
Në një intervistë për emisionin italian “Belve”, që do të transmetohet në televizionin RAI 2, ish-kapiteni i Romës nuk i fshehu zhgënjimet e tij për mënyrën se si u trajtua në muajt e fundit në klub.
“Do të doja të kishin pasur më shumë respekt për mua”, deklaroi Totti, duke iu referuar Romës.
Ai foli edhe për njerëzit që përfituan nga fama dhe suksesi i tij, duke zbuluar se në mesin e tyre kishte edhe persona shumë të afërt.
“Njerëz që nuk do ta kisha menduar kurrë. Anëtarë të familjes, miq, të afërm. Shumë prej tyre përfituan nga kjo. Me kalimin e kohës rrugët ndahen dhe e kupton se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Po të mundesha, nuk do ta përsërisja”, rrëfeu italiani.
Totti u pyet edhe për ndarjen nga ish-bashkëshortja Ilary Blasi dhe deklaratën e saj se tradhtia do të ishte e pafalshme në martesën e tyre.
“Ndodhi. Nuk mund të fal”, ishte përgjigjja e shkurtër e tij.
Momenti më prekës i intervistës erdhi kur Totti foli për babanë e tij të ndjerë. Legjenda italiane pranoi me lot në sy se nuk i kishte thënë kurrë se e donte dhe se sot i mungon më së shumti një përqafim i tij.
“Janë gjëra që nuk i bën dhe pastaj, kur humb njerëzit që janë qendra e gjithçkaje, ndihesh i humbur dhe i vetmuar. Pa të, jeta është ndryshe”, u shpreh Totti.
Një rrëfim i rrallë dhe tejet personal nga një prej figurave më ikonike të futbollit italian, që këtë herë la mënjanë fushën e lojës për të folur për plagët dhe pendesat e jetës.