November 26, 2026

Lidhu me ne

Social menu is not set. You need to create menu and assign it to Social Menu on Menu Settings.

futbolliinfo

Gjilani, Malisheva dhe Vushtrria janë tri skuadrat e radhës që kanë siguruar kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Tri ndeshjet e fazës 1/8 së finales u zhvilluan të enjten, duke dhuruar emocione dhe gola. Gjilani e eliminoi Lirinë e Prizrenit me rezultat 2:1 në stadiumin e vet. Golin e parë për vendasit e shënoi Armend Thaqi nga penalltia në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë. Epërsinë e dyfishoi Hamdi Namani në minutën e 65-të, duke shënuar me kokë pas harkimit të kapitenit Thaqi. Ky ishte edhe debutimi i tij me fanellën e Gjilanit. Liria ngushtoi rezultatin në minutën e 85-të me golin e Dijar Nikqit, ndërsa prizrenasve iu anuluan edhe dy gola për pozitë jashtë loje. Malisheva e siguroi kalimin tutje me fitore bindëse 4:0 ndaj Trepçës ’89. Në këtë ndeshje shkëlqeu Assane Diatta, i cili realizoi dy gola dhe kontribuoi me një asistim. Ai hapi serinë e golave në minutën e 31-të, ndërsa katër minuta më vonë realizoi Arbër Pira. Diatta shënoi sërish në minutën e 75-të për 3:0 dhe asistoi për golin e katërt të Valmir Nafiut në minutën e 88-të. Në çerekfinale u kualifikua edhe Vushtrria, e cila në shtëpi mposhti Vëllaznimin e Gjakovës me rezultat 2:0. Golin e parë e shënoi Erion Krasniqi në minutën e 33-të, ndërsa Lis Demiri vulosi fitoren në minutën e 78-të. Më herët kualifikimin në çerekfinale e kanë siguruar edhe Llapi, Ferizaj, Dukagjini dhe Ballkani. Ndeshja e fundit e fazës 1/8 së finales do të zhvillohet më 18 shkurt, nga ora 13:00, ndërmjet Feronikelit 74 dhe Dinamos së Ferizajt.