Mbështetje e fuqishme nga FIFA: Infantino uron Agim Ademin edhe në Instagram pas letrës zyrtare
Rizgjedhja e Agim Ademit në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës për mandatin 2026–2030 ka marrë një vëmendje të veçantë nga nivelet më të larta të futbollit botëror. Pasi i dërgoi një letër urimi zyrtare, Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka zgjedhur edhe rrjetet sociale për të shprehur urimin e tij për kreun e FFK-së.
Ditën e sotme, Infantino ka postuar në profilin e tij zyrtar në Instagram një foto krah Presidentit Ademi, ku e uron për fillimin e mandatit të ri.
“Urime Agim Ademi për rizgjedhjen si President i Federatës së Futbollit të Kosovës”, thuhet në postimin e kreut të FIFA-s, shoqëruar me flamurin e Kosovës dhe emojin e shtrëngimit të duarve.
Ky veprim shihet si një konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera personale dhe institucionale mes dy krerëve, duke i dhënë një vulë ndërkombëtare procesit zgjedhor në Kosovë dhe njëherësh duke i bërë një promovim shtetit të Kosovës, duke pasur parasysh ndikimin e madh që ka kreu i FIFA-s në rrjetet sociale.

