Mbrojtësi i Paris Saint-Germainit, Nuno Mendes, ka pranuar se Roma e vuri në vështirësi të mëdha skuadrën franceze në barazimin 2-2 në Parc des Princes.
Portugezi vlerësoi organizimin dhe mënyrën e lojës së skuadrës së drejtuar nga Gian Piero Gasperini, duke e cilësuar Romën si një nga kundërshtarët më të vështirë me të cilët është përballur PSG-ja.
“Roma na krijoi shumë probleme. Në pjesën e parë patëm vështirësi, pasi ata na ushtruan presion të madh dhe na detyruan të mos luanim siç dëshironim. Në raste të tjera, gjetën hapësira, rikuperuan topin dhe na vunë në vështirësi”, u shpreh Mendes.
Mbrojtësi theksoi se PSG-ja do të vazhdojë t’i qëndrojë besnike filozofisë së saj të lojës, pavarësisht kundërshtarëve që ka përballë.
“Ne kemi mënyrën tonë të të luajturit dhe nuk e ndryshojmë kurrë. Ata e kishin studiuar mirë lojën tonë, ashtu siç kishim analizuar edhe ne Romën, por megjithatë arritën të na krijonin shumë probleme”, shtoi ai.
Në fund, Mendes pranoi se jo gjithmonë skuadra arrin të paraqitet në nivelin maksimal, por siguroi se PSG-ja do të vazhdojë të punojë për t’u përmirësuar.