13.09.2026, Fussball, Herren, 1. Bundesliga, Saison 2026/2027, SV 07 Elversberg - FC Bayern München, Joshua Kimmich FC Bayern München und Jamal Musiala FC Bayern München Elversberg Ursapharm-Arena an der Kaiserlinde Saarland Deutschland *** September 13, 2026, Soccer, Men s, 1. Bundesliga, 20262027 Season, SV 07 Elversberg vs. FC Bayern Munich, Joshua Kimmich FC Bayern Munich and Jamal Musiala FC Bayern Munich at the Ursapharm Arena an der Kaiserlinde in Elversberg, Saarland, Germany Copyright: xFabianxKleerx,Image: 1134548232, License: Rights-managed, Restrictions: , Model Release: no , Credit line: Fabian Kleer / imago sportfotodienst / Profimedia
Joshua Kimmich ka dalë hapur në mbrojtje të bashkëlojtarit të tij te Bayern Munichu, Jamal Musiala, duke kritikuar ashpër mënyrën se si drejtuesit e klubit bavarez kanë trajtuar publikisht situatën e futbollistit gjerman.
Musiala po kalon një periudhë të vështirë, pas problemeve shëndetësore dhe një dëmtimi serioz, që ia kanë vështirësuar rikthimin në nivelin e tij më të mirë.
Kimmich, kapiten i Përfaqësueses së Gjermanisë, theksoi se është e kuptueshme që Musiala të mos jetë ende në formën e tij optimale, duke pasur parasysh vështirësitë që ka kaluar gjatë periudhës së fundit.
Ai rikujtoi se Musiala ishte një prej futbollistëve më të rëndësishëm të Gjermanisë në Kampionatin Evropian, ndërsa më pas vazhdoi kontratën me Bayernin dhe mori fanellën me numrin 10, që bart me vete përgjegjësi dhe pritshmëri të mëdha.
Megjithatë, ajo që e ka shqetësuar më së shumti Kimmichin është mënyra se si drejtuesit e Bayernit kanë komunikuar publikisht për gjendjen dhe formën e bashkëlojtarit të tij.
“E kuptoj plotësisht se kjo nuk është një situatë e lehtë as për klubin. Por, ajo që nuk e kuptoj është mënyra se si e gjithë kjo u komunikua publikisht. Nuk duhet të ndodhë kurrë që një situatë e tillë të zgjidhet në kurriz të një futbollisti”, deklaroi Kimmich.
Më pas, mesfushori gjerman dha një mesazh të fortë për drejtuesit e klubit bavarez.
“Klubi është gjithmonë më i rëndësishëm se lojtarët, por jo më i rëndësishëm se njeriu. Kjo është absolutisht e papranueshme dhe nuk është në frymën e Bayernit”, theksoi ai.
Sipas Kimmichit, çështje të tilla duhet të zgjidhen brenda klubit, përmes bisedimeve mes drejtuesve, futbollistit dhe përfaqësuesve të tij, e jo përmes deklaratave publike që shtojnë presionin.
Ai gjithashtu bëri të ditur se Musiala po punon me përkushtim në stërvitje, është profesionist dhe dëshiron të rikthehet sa më shpejt në nivelin e tij.
“Nuk është se ka probleme sepse është joprofesionist. Përkundrazi, ai është çdo ditë këtu, punon jashtëzakonisht shumë dhe dëshiron të nxjerrë maksimumin nga vetja. Më e rëndësishmja është që të kënaqet duke luajtur futboll. Nuk duhet të presim mrekulli, atij do t’i duhet kohë”, përfundoi Kimmich, duke konfirmuar se e gjithë skuadra qëndron në mbështetje të Musialas.