Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) është vënë në shënjestër të një sulmi kibernetik, gjatë të cilit hakerët pretendojnë se kanë arritur të sigurojnë një sasi të madhe dokumentesh dhe informacionesh konfidenciale nga sistemet e organizatës.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi i hakerëve i njohur si “Handsome Boy Hacking Club”, i cili pretendon se ka vjedhur më shumë se 12 gigabajt të dhëna, përfshirë informacione personale dhe materiale të brendshme të FIFA-s.
Sipas raportimeve të mediave, sulmi dyshohet se është realizuar përmes një skeme të mashtrimit dhe paraqitjes së rreme si punonjës të FIFA-s, e jo përmes shfrytëzimit të ndonjë dobësie teknike në sistemet e saj.
Nga FIFA kanë bërë të ditur se janë duke bashkëpunuar me institucionet përkatëse për të hetuar rastin dhe për të zbardhur të gjitha rrethanat e sulmit.
Deri më tani, nuk janë bërë publike hollësi të plota mbi natyrën e dokumenteve të pretenduara si të vjedhura, ndërsa mbetet të shihet se çfarë ndikimi mund të ketë ky incident në sigurinë e të dhënave të organizatës më të madhe të futbollit në botë.
FIFA e ka konfirmuar sulmin, por jo sasinë prej 12 GB të të dhënave të vjedhura. Ky është pretendim i grupit të hakerëve. Sipas Reuters, më pak se 0.1% e të dhënave të FIFA-s dyshohet se janë prekur.