Epopeja e UÇK-së përkujtohet edhe nga FFK dhe Agim Ademi
Në përvjetorin e Epopesë së UÇK-së, komuniteti i futbollit në Kosovë ka kujtuar sakrificën dhe heroizmin e familjes Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.
Federata e Futbollit e Kosovës dhe presidenti i saj, Agim Ademi, kanë theksuar se këto ditë kujtese janë moment reflektimi dhe respekti për sakrificën që solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në mesazhin e tyre thuhet se heroizmi i familjes Jashari mbetet simbol i përjetshëm i lirisë së vendit dhe se Epopeja e UÇK-së përbën një nga themelet e shtetit të Kosovës.
Postimi i plotë:
Epopeja e UÇK-së, amanet i përjetshëm dhe udhërrëfyes për brezat
Në këto ditë të shenjta kujtese, përulemi me respektin më të lartë para sakrificës sublime të Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit. Heroizmi i tyre mbetet vula e përjetshme e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Epopeja e UÇK-së nuk është thjesht një ngjarje historike; ajo është themeli i shtetit tonë. Ky amanet na obligon që çdo ditë të shërbejmë me ndershmëri, përkushtim dhe përgjegjësi të lartë për të ardhmen e vendit në çdo sferë. Si komunitet i futbollit, e kemi për detyrë që vlerat e sakrificës, unitetit dhe lavdisë së luftës çlirimtare t’i kultivojmë te brezat e rinj, duke i edukuar ata me atdhedashuri dhe respekt për historinë tonë të lavdishme. Në këtë frymë, Federata e Futbollit e Kosovës, tash e 17 vjet, organizon turneun tradicional të futsallit “Adem Jashari”. Ky aktivitet është kontributi ynë modest për të mbajtur gjallë tek brezat kujtesën e atyre ditëve që ndryshuan rrjedhën e historisë sonë. Lavdi e përjetshme Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit!

