Ademi pret ambasadorin turk, flasin edhe për finalen eventuale Kosovë – Turqi
Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angılı ishte sot mysafir i presidentit të FFK-së, Agim Ademi. Në këtë takim u diskutua për forcimin e bashkëpunimit, por edhe për ndeshjet e “play-off”-it për Kupën e Botës 2026, ku Kosova dhe Turqia mund të përballen në një finale eventuale në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Postimi i plotë i presidentit të FFK-së
Sot pata kënaqësinë të pres ambasadorin e Turqisë në Kosovë, z. Tunç Angılı, si dhe znj. Seyda Çimeli Aydın. Ky takim vjen në kuadër të aktiviteteve që po zhvillojmë me diplomatët që shërbejnë në Kosovë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e ideve për zhvillimin e sportit, në veçanti të futbollit në vendin tonë.
Ambasadori Angılı na përgëzoi për sukseset e fundit të Kombëtares së Kosovës dhe për zhvillimin e futbollit në vend, duke vlerësuar progresin dhe punën që po bëhet në këtë drejtim.
Gjatë bisedës diskutuam edhe për ndeshjen e “play-off”-it kundër Sllovakisë, ku ambasadori na uroi suksese në këtë sfidë të rëndësishme.
Po ashtu, në rast të një përballje Kosovë-Turqi në finale në Prishtinë u dakorduam që të organizohen aktivitete të përbashkëta për tifozët e të dyja vendeve, në frymën e miqësisë dhe sportit.
