April 2026
M T W T F S S
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  
April 21, 2026

Llapi në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës pas dramës me Malishevën

Llapi është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, pasi e mposhti Malishevën pas ekzekutimit të penalltive me rezultat 3:2, në një ndeshje jashtëzakonisht dramatike.

Koha e rregullt dhe vazhdimet prej dy herë nga 15 minuta përfunduan baras, 2:2, ndërsa fituesi u përcaktua vetëm nga pika e bardhë.

Malisheva e nisi shumë mirë ndeshjen dhe kaloi në epërsi që në minutën e 4-të, kur sulmuesi Mevlan Zeka realizoi për 1:0.

Llapi arriti ta barazojë rezultatin në fillim të pjesës së dytë. Në minutën e 49-të, Besar Musolli shënoi me kokë pas një aksioni të mirë të skuadrës së tij, duke e çuar rezultatin në 1:1.

Në vazhdime, Malisheva kaloi sërish në epërsi. Përsëri protagonist ishte Mevlan Zeka, i cili realizoi për 2:1 dhe dukej se do ta dërgonte skuadrën e tij drejt gjysmëfinales.

Megjithatë, Llapi nuk u dorëzua deri në fund. Në minutën e 120-të, Fuad Abazi realizoi me kokë për 2:2, duke e çuar ndeshjen në penallti dhe duke i dhënë skuadrës së tij shpresë për kualifikim.

Në serinë e penalltive, më i saktë u tregua Llapi, që fitoi 3:2. Te Malisheva penalltitë i humbën Donat Vitija dhe Arbër Pira.

Me këtë fitore, Llapi bëhet gjysmëfinalisti i fundit i Kupës së Kosovës.

Një ditë më parë, kualifikimin për në gjysmëfinale e kishin siguruar Ballkani, Ferizaj dhe Dukagjini. Ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen me sistem vajtje–ardhje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *