Month: May 2026

Kombëtarja e Kosovës është mposhtur nga Çekia me rezultat 2:1 në ndeshjen miqësore të zhvilluar të dielën në stadiumin “Epet Arena” në Pragë. Përballja shërbeu si test i rëndësishëm për përzgjedhësin Franco Foda dhe stafin e tij në kuadër të përgatitjeve për sfidat e ardhshme zyrtare në shtator, ndërsa Dardanët treguan dy kaptina të ndryshme gjatë 90 minutave. Vendasit e nisën më mirë ndeshjen dhe kaluan në epërsi në minutën e 12-të me Tomáš Ladra, i cili përfitoi nga një situatë e krijuar brenda zonës. Çekët e dyfishuan avantazhin në minutën e 32-të, kur Adam Hložek finalizoi me sukses një kundërsulm të shpejtë për rezultatin 2:0. Në pjesën e dytë Kosova reagoi dukshëm më mirë, duke marrë iniciativën dhe duke krijuar disa raste premtuese para portës kundërshtare. Mërgim Vojvoda rrezikoi në minutën e 59-të, ndërsa Baton Zabërgja ishte shumë pranë golit në minutën e 77-të. Përpjekjet e Dardanëve u shpërblyen në minutën e 83-të, kur Lindon Emërllahu realizoi për 2:1 pas një aksioni të ndërtuar mirë nga skuadra jonë. Në aksion kontribuoi edhe Dion Gallapeni, ndërsa Emërllahu u tregua i saktë nga afërsia për ta ngushtuar rezultatin. Deri në fund të takimit pati raste në të dyja anët, por rezultati mbeti i pandryshuar. Kjo ndeshje shënoi edhe debutimin me fanellën e Kosovës për Valmir Matoshin dhe Rilind Nivokazin, të cilët regjistruan minutat e para me Kombëtaren A. Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e radhës miqësore më 7 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku do të përballet me Andorrën.

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot stërvitjen e dytë në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet miqësore kundër Çekisë dhe Andorrës. Seanca stërvitore u zhvillua me ritëm të lartë dhe me përkushtim të madh nga futbollistët, derisa përzgjedhësi Franco Foda, së bashku me stafin e tij, punoi kryesisht në aspektin taktik dhe në organizimin e lojës. Gjatë stërvitjes, për shkak të një lëndimi në nyje, Andi Hoti u detyrua ta ndërpresë seancën para kohe. Futbollisti do t’u nënshtrohet ekzaminimeve të nevojshme nga stafi mjekësor i Kombëtares, pas të cilave do të përcaktohet shkalla e lëndimit. Atmosfera në kampin dardan mbetet shumë pozitive, veçanërisht edhe për futbollistët që janë ftuar për herë të parë në Kombëtare. Sulmuesi Rilind Nivokazi është shprehur i lumtur dhe krenar që i është bashkuar Kosovës. “Krenari shumë e madhe për mua dhe për familjen time. Ekipi më ka pritur shumë mirë, ashtu si edhe stafi në krye me trajnerin Franco Foda. Jam shumë i kënaqur dhe uroj të ftohem edhe herë të tjera”, ka thënë Nivokazi. Sulmuesi 26-vjeçar i Sionit në Zvicër theksoi se ftesa nga Kombëtarja për të është motivim i madh, ndërsa shtoi se miqësoret e radhës janë mundësi e mirë për t’u përgatitur për sfidat e ardhshme. “Trajneri na ka thënë se duhet ta japim maksimumin, sepse këto miqësore na duhen për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet e ardhshme. Kur luan për Kombëtaren, do të thotë se gjithmonë duhet të japësh maksimumin për këtë fanellë”, ka theksuar Nivokazi. Edhe Valmir Matoshi, i cili po ashtu është ftuar për herë të parë te Kosova, është shprehur i lumtur për pritjen në kampin dardan. Mesfushori, i cili ka qenë pjesë e grupmoshave U20 dhe U21 të Zvicrës, së fundmi fitoi titullin e kampionit në Zvicër me skuadrën e Thunit. “Është ndjenjë shumë e mirë, të cilën nuk e kisha përjetuar deri tash. Të gjithë lojtarët janë shumë të mirë, po ashtu edhe stafi i trajnerëve. Bisedojmë lirshëm me njëri-tjetrin, sikur të isha për kohë të gjatë këtu”, është shprehur Matoshi. Ai theksoi se e ka ndjekur rregullisht Kombëtaren e Kosovës dhe se sa herë t’i jepet mundësia të paraqitet në fushë, do të japë maksimumin për fanellën dardane. “Po më duket sikur kam luajtur për kohë të gjatë për Kosovën. Më vjen mirë për pritjen nga të gjithë. Thuajse të gjitha ndeshjet e Kosovës i kam shikuar më herët. Do ta jap maksimumin sa herë që më jepet rasti”, ka shtuar Matoshi. Dardanët miqësoren e parë do ta zhvillojnë të dielën në Pragë kundër Çekisë, ndërsa më 7 qershor do të përballen me Andorrën në Prishtinë.