Ten Hag paralajmëron Manchester Unitedin: Rënia nga Premier League është e mundur
Ish-trajneri i Manchester Unitedit, Erik ten Hag, ka paralajmëruar se gjiganti anglez nuk është i imunizuar nga rënia në Championship, duke marrë parasysh rezultatet dhe formën e dobët që po kalon këtë sezon.
‘Djajtë e kuq’ ndodhen vetëm mbi zonën e rënies nga kategoria, falë diferencës së golave, ndërsa deri më tani kanë regjistruar vetëm dy fitore në të gjitha garat. Në Premier League, fitorja e vetme e tyre erdhi më 30 gusht, në përballjen me Ipswichin.
Ten Hag, i cili qëndroi dy vjet e gjysmë në krye të Manchester Unitedit dhe gjatë kësaj periudhe fitoi Carabao Cup dhe FA Cup, beson se rreziku i rënies nga elita angleze nuk duhet përjashtuar.
Sipas trajnerit holandez, niveli i lartë i skuadrave në Premier League dhe vështirësia për të dalë nga një seri negative rezultatesh mund ta përkeqësojnë edhe më shumë situatën.
“Në Premier League, rënia nga kategoria është padyshim e mundur, sepse të gjitha skuadrat janë vërtet të forta. Kanë trajnerë të zotë dhe ekipe cilësore. Nëse e gjeni veten në anën e gabuar dhe futeni në një rreth vicioz, atëherë situata mund të bëhet shumë e vështirë”, ka deklaruar Ten Hag.
Manchester Unitedi nuk ka rënë nga Premier League që nga viti 1974, por gjendja aktuale ka rikthyer në diskutim mundësinë e një skenari të tillë.
