Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka uruar Federatën e Futbollit të Kosovës me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit në shtëpinë e futbollit botëror. Në një postim të publikuar në profilin e tij në Instagram, Infantino vlerësoi progresin e futbollit kosovar gjatë dekadës së fundit, duke theksuar rritjen dhe ndikimin pozitiv që futbolli ka pasur te gjeneratat e reja dhe tifozët në vend. “Përgëzime Federatës së Futbollit të Kosovës për kremtimin e 10 viteve si federatë anëtare e FIFA-s. Gjatë dekadës së kaluar, futbolli në Kosovë ka vazhduar të rritet dhe të frymëzojë shumë lojtarë të rinj dhe tifozë”, ka shkruar Infantino. Ai po ashtu theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të FIFA-s për zhvillimin e futbollit në Kosovë, duke kujtuar kontributin e ish-presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri si dhe punën e presidentit aktual, Agim Ademi. “FIFA mbetet e përkushtuar në mbështetjen e zhvillimit të lojës në Kosovë, i cili fillimisht u mbikëqyr nën udhëheqjen e Fadil Vokrrit dhe vazhdon edhe sot nga Agim Ademi dhe ekipi i tij”, thuhet më tej në mesazhin e presidentit të FIFA-s. Kosova u pranua zyrtarisht në FIFA më 13 maj 2016, duke shënuar një nga momentet më historike për sportin kosovar.
Day: May 14, 2026
Shoqata e Trajnerëve të Futbollit, në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës organizoi sot në Prishtinë seminarin njëditor me trajnerin gjerman, Rainer Kraft, ku në fokus ishte identifikimi dhe zhvillimi i talenteve të rinj në futboll. Në këtë seminar morën pjesë trajnerë vendorë të grupmoshave deri në U19, si dhe kandidatët e kursit aktual të licencimit të trajnerëve. Gjatë ligjëratës, Kraft prezantoi metodologjinë e punës në kuadër të projektit TDS, duke ndarë përvojat dhe praktikat më të mira për zhvillimin e futbollistëve të rinj dhe krijimin e një perspektive të qëndrueshme për të ardhmen e futbollit kosovar. “Ky seminar kishte të bënte me mënyrën se si përpiqemi të identifikojmë talentet dhe si i stërvitim ato brenda projektit TDS. Prezantuam gjithashtu punën time si trajner i talenteve së bashku me kolegët e mi dhe mënyrën se si mundohemi të zhvillojmë lojtarët e rinj, për t’u siguruar atyre një të ardhme të ndritur në kuadër të Federatës së Futbollit të Kosovës”, deklaroi Kraft. Pjesëmarrësit e seminarit vlerësuan lart organizimin dhe përmbajtjen profesionale të ligjëratës, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të përvojave me ekspertë ndërkombëtarë. Trajneri i FC Ballkani U17, Zgjuart Kuçi, tha se seminare të tilla janë shumë të dobishme për trajnerët vendorë. “Për neve trajnerët vendorë janë shumë të mirëseardhura ligjëratat nga trajnerë ndërkombëtarë. Shpresoj që këshillat dhe përvojat e tij të na hyjnë në punë në të ardhmen”, u shpreh Kuçi. Ky seminar është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Shoqatës së Trajnerëve të Futbollit dhe FFK-së për ngritjen profesionale të trajnerëve vendorë dhe avancimin e zhvillimit të talenteve të rinj në futbollin kosovar. Screenshot Screenshot Screenshot Screenshot Screenshot
