Prishtina mposht kampionen në fuqi, merr kreun e Superligës
Prishtina ka marrë një fitore të madhe në ndeshjen e mbetur të xhiros së dytë të Superligës së Kosovës, duke e mposhtur kampionen në fuqi, Dritën, me rezultat 2:1 në Gjilan.
Bardhekaltrit e nisën shumë mirë ndeshjen dhe kaluan në epërsi që në minutat e para me anë të Blend Baftiut, i cili dikur ishte pjesë e skuadrës gjilanase.
Drita reagoi shpejt dhe në minutën e 19-të arriti ta barazojë rezultatin. Për 1:1 realizoi sulmuesi Blerim Krasniqi.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa vendimi përfundimtar erdhi në pjesën e dytë.
Ishte Ardian Hasani ai që realizoi golin e fitores për Prishtinën, duke shënuar me kokë për 2:1. Goli fillimisht u rishikua përmes VAR-it dhe më pas u konfirmua.
Kjo ndeshje ishte shtyrë për shkak të angazhimit të Dritës në garat evropiane.
Ndryshe, në përballjen e fundit mes këtyre dy skuadrave, të zhvilluar më 25 tetor në Kampin Nacional në Hajvali, Drita kishte triumfuar bindshëm me rezultat 3:0.
Me këtë fitore, Prishtina bëhet lidere e Superligës me 29 pikë, dy më shumë se Malisheva që renditet e dyta. Drita mbetet në pozitën e tretë me 23 pikë.
