April 2026
M T W T F S S
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  
April 17, 2026

Month: April 2026

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave do të përballet sërish me Bullgarinë, të shtunën nga ora 18:00, por kësaj radhe në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të Grupit C2 të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027. Dardanet vijnë në këtë përballje pas fitores 3:1 në Sofje, duke konfirmuar formën e mirë në këtë cikël kualifikues. Kosova aktualisht kryeson grupin me nëntë pikë nga tri ndeshje, e ndjekur nga Kroacia me gjashtë pikë, ndërsa Bullgaria ka tri pikë dhe Gjibraltari mbetet pa pikë. Skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi Sami Sermaxhaj synon një tjetër fitore, që do të përforconte pozitën e parë dhe do ta afronte edhe më shumë drejt objektivit. Në shtatë përballjet e deritashme ndaj Bullgarisë, Kosova ka regjistruar gjashtë fitore dhe një barazim. Fitorja eventuale në këtë ndeshje do të përbënte një hap të madh drejt sigurimit të vendit të parë në grup, që garanton pjesëmarrjen në 'play-off' për kualifikim në Kampionatin Botëror, si dhe promovimin në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Futbollistja Gentiana Fetaj theksoi se, pavarësisht fitores në ndeshjen e parë, skuadra synon përmirësim të mëtejshëm: “Kemi bërë lojë të mirë në Bullgari, por duam që ende ta përmirësojmë performancën tonë dhe ta fitojmë ndeshjen e dytë kundër bullgareve. Nëse vazhdojmë kështu jemi afër të realizojmë objektivin për t'u promovuar në Ligën B”, u shpreh Fetaj. Ndërkohë, Rrezona Ramadani vlerësoi rëndësinë e analizës së bërë pas ndeshjes në Sofje dhe besimin për një paraqitje më të mirë: “Pozitive është trepikëshi që morëm në Sofje, pavarësisht lojës që nuk ishte ndoshta shumë e kënaqshme. Kemi pasur kohë të mjaftueshme për ta analizuar atë ndeshje dhe për të parë gabimet tona dhe për t'i përmirësuar ato. Besoj se do të dalim me rezultat pozitiv dhe me një lojë më të mirë. Nëse fitojmë sërish ndaj Bullgarisë, do ta kemi më të lehtë në hapin final kundër Kroacisë për ta arritur objektivin tonë”, theksoi Ramadani. Dardanet mbeten të fokusuara për të vazhduar serinë pozitive dhe për të hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt realizimit të synimeve në këtë cikël kualifikues.

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave ka vazhduar serinë pozitive në kualifikimet për Kupën e Botës 2027, duke shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Bullgarisë, me rezultat 3:1. Ndeshja e zhvilluar, të martën, në stadiumin “Aleksandar Shalamanov” në Sofje nisi më mirë për vendaset, të cilat kaluan në epërsi në minutën e 9-të me golin e Aleksandra Yaneva. Megjithatë, reagimi i Dardaneve ishte i menjëhershëm. Në minutën e 15-të, pas një goditjeje nga këndi, kapitenia Erëleta Memeti realizoi gol të bukur direkt në portë për ta barazuar rezultatin në 1:1.  Vetëm gjashtë minuta më vonë, Kosova përmbysi rezultatin. Pas një krosimi të saktë, mbrojtësja Blerta Smaili realizoi me kokë për epërsinë 2:1, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë. Në pjesën e dytë, Dardanet kontrolluan lojën dhe krijuan më shumë raste shënimi. Epilogu i ndeshjes u vulos në minutën e 89-të, kur pas një tollovie në zonë, mbrojtësja Albulena Fejza realizoi për rezultatin përfundimtar 3:1. Kosova dominoi edhe në statistika, duke krijuar 13 raste për gol, krahasuar me vetëm tri të vendasve, si dhe katër goditje në portë kundrejt dy të Bullgarisë. Me këtë fitore, Kosova forcon pozitën e parë në Grupin C2, me nëntë pikë nga tri ndeshje, pas fitoreve të mëparshme ndaj Gjibraltarit (6:0) dhe Kroacisë (1:0). Dardanet do të përballen sërish me Bullgarinë pas katër ditësh, kësaj radhe në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.  Nga Liga C nuk sigurohet kualifikimi direkt për në Kupën e Botës, por vendi i parë garanton pjesëmarrjen në “play-off”-in kualifikues dhe promovimin në Ligën B të Ligës së Kombeve, që mbetet objektivi kryesor i Kombëtares së Kosovës.

Kombëtarja e Kosovës në futsall ka siguruar vendin e parë në Grupin D të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2028, duke vazhduar me sukses rrugëtimin drejt fazës së ardhshme kualifikuese. Në ndeshjen vendimtare për pozitën e parë në grup, të zhvilluar të dielën mbrëma në Igalo, ndaj nikoqirit, Malit të Zi, Kosova barazoi 3:3 në një përballje dramatike deri në sekondat e fundit. Golin e barazimit për Dardanët e realizoi Drilon Haxhijaj, vetëm 18 sekonda para përfundimit të takimit. Dy golat e tjerë për Kombëtaren e Kosovës i shënuan Drilon Maxharraj dhe Shqiprim Imeri. Me këtë rezultat, Kombëtarja e Kosovës e mbyll grupin në vendin e parë me shtatë pikë, aq sa grumbulloi edhe Mali i Zi, por me goldallim më të mirë. Austria e përfundoi garën në vendin e tretë me tri pikë, ndërsa Gjibraltari mbeti pa pikë. Në dy ndeshjet paraprake, Kosova kishte shënuar fitore bindëse, duke mposhtur Gjibraltarin me rezultat 11:0 dhe Austrinë me shifrat 6:3. Përzgjedhësi Agon Ramadani u shpreh i lumtur me arritjen e objektivit në këtë fazë të parakualifikimeve. “Jam shumë i kënaqur me të gjithë lojtarët, pa përjashtim. Secili ka kontribuar në këtë sukses. Kemi ardhur këtu me synimin jo vetëm për t’u kualifikuar, por edhe për të përfunduar të parët e grupit dhe këtë objektiv e kemi arritur. Kosova po paraqitet gjithnjë e më mirë dhe po përballet me dinjitet në çdo ndeshje e ndaj çdo kundërshtari. Përgëzime për Federatën, stafin si dhe lojtarët, të cilët janë më meritorët për këtë arritje. Kemi ndërtuar një standard të ri, ku përveç kualifikimit kemi arritur edhe vendin e parë në grup. Kjo është hera e parë që e arrijmë një gjë të tillë si shtet që nga pranimi në UEFA e FIFA”, ka thënë Ramadani. Kombëtarja e Kosovës tashmë ka siguruar kualifikimin në raundin kryesor (Main Round), ndërsa shorti për këtë fazë do të hidhet më 19 qershor. Sipas formatit të kualifikimeve të Botërorit, 12 fituesit e grupeve nga “Main Round” do të avancojnë në “Elite Round”, së bashku me katër përfaqësueset më të mira të vendeve të dyta. Ndërkohë, tetë përfaqësueset e tjera nga vendi i dytë do të kërkojnë kualifikimin përmes ndeshjeve të “play-off”-it.

Drita ka shënuar fitore shumë të rëndësishme me përmbysje të rezultatit ndaj Ferizajt, në kuadër të javës së 28-të në Albi Mall Superligë, duke triumfuar 2:1 në shtëpi. Mysafirët kaluan të parët në epërsi në minutën e 18-të, kur Kushtrim Shabani realizoi pas një harkimi që përfundoi në rrjetë, duke befasuar portierin Faton Maloku. Reagimi i vendasve ishte i menjëhershëm. Në minutën e 36-të, Vesel Limaj barazoi me një supergol nga distanca, duke rikthyer baraspeshën. Në pjesën e dytë, Drita rriti presionin dhe në minutën e 82-të arriti golin e fitores, kur Liridon Balaj u tregua i saktë para portës për rezultatin përfundimtar 2:1. Me këtë fitore, Drita forcon pozitën e parë në tabelë, duke krijuar një diferencë prej pesë pikësh ndaj ndjekësit më të afërt, Ballkanit. Ky i fundit  ka lëshuar dy pikë të rëndësishme në garën për titull, pasi u ndal në barazim 1:1 në shtëpi nga Gjilani. Skuadra nga Suhareka kaloi në epërsi herët, me golin e Almir Kryeziut në minutën e 11-të. Ndeshja u karakterizua nga ritëm i lartë dhe raste nga të dyja skuadrat, por pa konkretizim deri në minutat e fundit. Kur gjithçka dukej se po përfundonte me fitore të Ballkanit, Armend Thaqi realizoi në minutën e 90-të ndaj ish-skuadrës së tij, duke siguruar një pikë të rëndësishme për skuadrën e drejtuar nga Debatik Curri, e cila tani ngjitet në pozitën e tretë me 43 pikë. Në ndeshjen tjetër, Drenica ka marrë tri pikë shumë të vlefshme në luftën për mbijetesë, duke mposhtur Llapin me rezultat minimal 1:0 në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Skuadra nga Skenderaj ishte më kërkuese gjatë gjithë takimit dhe gjeti golin e fitores në minutën e 70-të, kur Kreshnik Uka realizoi pas një aksioni të ndërtuar mirë. Pas kësaj fitoreje, Drenica arrin në kuotën e 32 pikëve, aq sa ka edhe Llapi, duke e bërë edhe më të fortë garën për mbijetesë në elitën e futbollit kosovar. Dje Prishtina e Re triumfoi ndaj Malishevës, duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë, ndërsa nesër zhvillohet ndeshja e fundit e kësaj jave, ku ballafaqohen Prishtina dhe Dukagjini.

Kombëtarja e Kosovës në futsall e ka nisur me fitore të thellë fushatën e parakualifikimeve për Botërorin 2028, që po mbahen në Mal të Zi. Dardanët triumfuan bindshëm ndaj Gjibraltarit, me rezultat 11:0, në ndeshjen e zhvilluar të enjten në Igalo. Ekipi i drejtuar nga përzgjedhësi Agon Ramadani dominoi plotësisht takimin, duke kontrolluar lojën nga fillimi deri në fund dhe duke mos i lënë hapësirë kundërshtarit. Figura kryesore e ndeshjes ishte Drilon Maxharraj, i cili realizoi hat-trick, ndërsa me paraqitje të mirë u dallua edhe Shefki Kameri me dy gola. Në listën e realizatorëve u regjistruan edhe Ylli Mazreku, Ramadan Alaj, Drilon Haxhijaj dhe Shqiprim Imeri, ndërsa një gol erdhi si autogol i Alan Parker. Kosova bën pjesë në Grupin D të parakualifikimeve, së bashku me Austrinë dhe Malin e Zi. Ndeshjen e radhës, Dardanët do ta zhvillojnë nesër kundër Austrisë (ora 16:30), derisa më 12 prill do të përballen me Malin e Zi në ndeshjen e fundit të fazës grupore. Dy ekipet e para nga grupi sigurojnë kualifikimin në raundin kryesor, ndërsa shorti për këtë fazë do të tërhiqet më 19 qershor.