Perez synon rikthimin e Mourinhos në Real Madrid
Presidenti i Real Madrid, Florentino Pérez, po shqyrton rikthimin e José Mourinhos në krye të skuadrës madrilene, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Sipas The Athletic, portugezi është kandidati i preferuar i kreut të klubit për të marrë drejtimin e ekipit pas përfundimit të këtij sezoni.
Aktualisht, skuadra udhëhiqet nga Álvaro Arbeloa, por e ardhmja e tij në “Santiago Bernabéu” mbetet e pasigurt, pasi nuk pritet të vazhdojë në edicionin e ri.
Burime pranë klubit bëjnë të ditur se këtë herë vendimi për trajnerin e ri pritet të merret drejtpërdrejt nga Pérez, ndryshe nga një vit më parë kur rolin kryesor e kishte menaxheri gjeneral José Ángel Sánchez, i cili kishte mbështetur emërimin e Xabi Alonso si pasues i Carlo Ancelotti.
Megjithatë, projekti me Alonson nuk zgjati dhe në vend të tij erdhi Arbeloa, ndërsa tani klubi po kërkon një zgjidhje më afatgjatë, sidomos nëse për të dytin sezon radhazi mbetet pa trofe madhorë.
Rikthimi i Mourinhos mbetet një opsion që ndan opinionet brenda klubit. Portugezi e drejtoi Real Madridin nga viti 2010 deri më 2013, duke fituar disa trofe, përfshirë titullin e La Liga me rekord pikësh në sezonin 2011/12.
Megjithatë, ai nuk arriti të triumfojë në UEFA Champions League me madrilenët, ndonëse këtë sukses e kishte arritur më herët me FC Porto dhe Inter Milan.
Periudha e tij në Madrid u karakterizua edhe nga tensione të brendshme, veçanërisht me ish-kapitenin Iker Casillas, çka ndikoi në raportet me tifozët dhe ambientin e klubit.
Aktualisht, Mourinho është në krye të Benfica, me kontratë deri në vitin 2027, por që përfshin një klauzolë lirimi prej rreth 3 milionë eurosh.
Përveç tij, në listën e mundshme të pasardhësve të Arbeloas përmenden edhe disa emra të tjerë të njohur, ndërsa drejtuesit e klubit pritet të marrin vendimin final në përfundim të sezonit.
