April 27, 2026

Kompany: Parisi është si një stuhi, por dimë si të fitojmë

Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, ka paralajmëruar një përballje të vështirë ndaj Paris Saint-Germain, duke theksuar se skuadra e tij udhëton drejt Parisit me synim të qartë – fitoren.

Kompany e përshkroi kampionin në fuqi të UEFA Champions League si një kundërshtar shumë të rrezikshëm, madje si “një stuhi” në lojë, por shtoi se Bayerni ka kapacitetin për ta përballuar këtë sfidë të madhe.

“E dimë forcën që ka Parisi, është si një valë që të godet vazhdimisht. Por ne kemi treguar se dimë të fitojmë në terrene të mëdha dhe po shkojmë atje për rezultat pozitiv”, ka theksuar ai.

Edhe pse nuk do të jetë në stol për shkak të pezullimit, tekniku belg ka shprehur besim të plotë te stafi dhe futbollistët e tij, duke vlerësuar përgatitjen dhe eksperiencën që skuadra ka ndërtuar në përballjet e fundit ndaj PSG-së.

Sipas tij, diferencën në këtë duel do ta bëjnë detajet e vogla: intensiteti, energjia dhe menaxhimi i situatave një kundër një.

“Të dy ekipet kanë shumë kreativitet dhe cilësi individuale. Nuk ka sekrete mes nesh – kjo është përballja e katërt dhe e njohim mirë njëri-tjetrin. Në fund, gjithçka vendoset nga detajet”, ka përfunduar Kompany.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *