Kreshnik Uka “Ylli i Javës” në Superligë, shkëlqen me dy gola për Drenicën
Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka ndarë çmimin tradicional “Ylli i Javës” për xhiron e 30-të të elitës së futbollit kosovar.
Ky vlerësim i ka takuar futbollistit të FC Drenicës, Kreshnik Uka, i cili ishte vendimtar në fitoren ndaj FC Prishtina e Re me rezultat 3:2, duke realizuar dy gola.
Është hera e tretë gjatë këtij edicioni që Uka shpallet “Ylli i Javës”, duke konfirmuar formën e tij të lartë dhe rolin kyç në skuadrën nga Skenderaj.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i cili ka vlerësuar paraqitjen e shkëlqyer të sulmuesit në këtë përballje.
Pas pranimit të çmimit, Uka u shpreh i kënaqur për vlerësimin, duke theksuar rëndësinë e fitores dhe reagimin e ekipit pas disavantazhit në pjesën e parë.
“E kemi ditur që do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi kundërshtarit i duheshin pikët. Në pjesën e parë ishim në disavantazh, por në pushim u dakorduam që të reagojmë fuqishëm dhe ta rikthejmë ndeshjen – dhe ia dolëm”, u shpreh Uka.
Ai shtoi se merita për suksesin i takon gjithë skuadrës dhe stafit teknik, duke veçuar kontributin e kapitenit Genc Hamiti dhe përkushtimin e të gjithë lojtarëve.
“Si klub, objektivi ynë ka qenë Kupa, por tani do të shohim deri ku mund të arrijmë edhe në kampionat. Kemi krijuar një mentalitet të ri dhe shpresojmë të vazhdojmë me rezultate pozitive”, theksoi ai.
Drenica vazhdon të tregojë formë të mirë në fazën vendimtare të sezonit, ndërsa paraqitjet e Ukës po rezultojnë vendimtare në synimet e skuadrës.
