Kosova mposhtet në Pragë, Dardanët tregojnë fytyrë tjetër në pjesën e dytë
Kombëtarja e Kosovës është mposhtur nga Çekia me rezultat 2:1 në ndeshjen miqësore të zhvilluar të dielën në stadiumin “Epet Arena” në Pragë.
Përballja shërbeu si test i rëndësishëm për përzgjedhësin Franco Foda dhe stafin e tij në kuadër të përgatitjeve për sfidat e ardhshme zyrtare në shtator, ndërsa Dardanët treguan dy kaptina të ndryshme gjatë 90 minutave.
Vendasit e nisën më mirë ndeshjen dhe kaluan në epërsi në minutën e 12-të me Tomáš Ladra, i cili përfitoi nga një situatë e krijuar brenda zonës. Çekët e dyfishuan avantazhin në minutën e 32-të, kur Adam Hložek finalizoi me sukses një kundërsulm të shpejtë për rezultatin 2:0.
Në pjesën e dytë Kosova reagoi dukshëm më mirë, duke marrë iniciativën dhe duke krijuar disa raste premtuese para portës kundërshtare. Mërgim Vojvoda rrezikoi në minutën e 59-të, ndërsa Baton Zabërgja ishte shumë pranë golit në minutën e 77-të.
Përpjekjet e Dardanëve u shpërblyen në minutën e 83-të, kur Lindon Emërllahu realizoi për 2:1 pas një aksioni të ndërtuar mirë nga skuadra jonë. Në aksion kontribuoi edhe Dion Gallapeni, ndërsa Emërllahu u tregua i saktë nga afërsia për ta ngushtuar rezultatin.
Deri në fund të takimit pati raste në të dyja anët, por rezultati mbeti i pandryshuar.
Kjo ndeshje shënoi edhe debutimin me fanellën e Kosovës për Valmir Matoshin dhe Rilind Nivokazin, të cilët regjistruan minutat e para me Kombëtaren A.
Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e radhës miqësore më 7 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku do të përballet me Andorrën.
