Kombëtarja e Kosovës nis përgatitjet për miqësoret ndaj Çekisë dhe Andorrës
Kombëtarja e Kosovës ka nisur sot përgatitjet për dy ndeshjet miqësore kundër Çekisë dhe Andorrës.
Dardanët e zhvilluan stërvitjen e parë në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda dhe stafit të tij teknik.
Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e parë miqësore kundër Çekisë, të dielën në Pragë, ndërsa më 7 qershor do të përballet me Andorrën në Prishtinë.
Për herë të parë në stërvitje me Kombëtaren A të Kosovës u paraqitën edhe Dardan Shabanhaxhaj, Valmir Matoshi dhe Rilind Nivokazi, të cilët i janë bashkuar grupit për këtë grumbullim, derisa pas një kohe janë rikthyer edhe Ron Raçi dhe Andi Hoti.
Atmosfera në stërvitjen e parë ishte mjaft pozitive, teksa stafi teknik nisi punën në përgatitjen e skuadrës për dy ndeshjet miqësore, të cilat do të shërbejnë si mundësi e mirë për të testuar futbollistë të rinj dhe për të vazhduar konsolidimin e ekipit para ndeshjeve të shtatorit në Ligën e Kombeve.
Stërvitjen e radhës Dardanët e zhvillojnë nesër në orën 11:00 në Kampin Nacional në Hajvali.
