PSG-ja sërish në majën e Evropës, mposht Arsenalin në finale
Paris Saint-Germaini e ka fituar trofeun e Ligës së Kampionëve për herë të dytë rresht. Skuadra franceze e mposhti Arsenalin pas ekzekutimit të penalltive 4:3 të shtunën mbrëma, në finalen e zhvilluar në stadiumin “Pushkash Arena”, në Budapest të Hungarisë.
PSG-ja u bë vetëm klubi i dytë pas Real Madridit, që me sukses e mbron titullin evropian pas Real Madridit. Por, parisienëve u ndihmoi edhe fati për ta arritur këtë sukses.
E barazuan rezultatin në 1:1 pikërisht nga penalltia e saktë e Ousmane Dembeles në minutën e 65-të. Në ekzekutimin e penalltive, katër prej pesë lojtarëve të PSG-së realizuan gol. Dështoi vetëm Nuno Mendes. Për Arsenalin, Eberechi Eze dhe mbrojtësi Gabriel, i fundit që gjuajti në mbrëmjen e së shtunës, dështuan të realizonin.
“Jemi shumë, shumë krenar sonte. Shumë mirënjohës për këtë triumf, sepse ishte ndeshje e vështirë ndaj një ekipi shumë të mirë. Duhet që ta përgëzoj ekipin e Arsenalit pasi ka pasur sezon shumë të mirë. Por, jemi të lumtur dhe i gëzohemi triumfit si ekip. Mendoj se e merituam”, deklaroi Desire Doue, sulmuesi i PSG-së pas ndeshjes për “TNT Sports”.
Vitinha e fitoi epitetin e lojtarit më të mirë të finales. Gonçalo Ramos, sulmuesi që e zëvendësoi Dembelen për shkak të një lëndimi në pjesën e dytë, ishte vendimtar po ashtu me saktësinë nga pika e bardhë. Kontributi i tij u vlerësua po ashtu.
“Ishte shumë vështirë. Kemi shumë personalitet dhe e shfaqëm atë se jemi gati për çdo gjë. I dua këto momente. Jam sulmues dhe gjithmonë i gatshëm për të ekzekutuar penallti, edhe nëse është e para. Doja të isha i pranishëm në këtë moment të madh”, deklaroi Ramos.
Për më shumë se një orë, kampioni anglez ishte shumë mirë i organizuar dhe ishte afër që ta shënonte një tjetër sukses historik, pas triumfit në Premier League pas 22 vjet pritjeje. Pas golit të Kai Havertzit për 1:0 në minutën e gjashtë, Arsenali u mbrojt në mënyrë impresive, me shumë lojtarë në zonën e penalltisë.
Dhe “topçinjtë” për kohë të gjatë e mbajtën të heshtur sulmin e jashtëzakonshëm të PSG-së. Arsenali nuk e mbajti shumë topin, por kjo nuk ishte shqetësuese për klubin anglez. Francezët nuk kishin shumë ide në fazën e fundit. Por, një moment kombinimi mes Khvicha Kvaratskhelias dhe Ousmane Dembeles në zonë, bëri që “muri londinez” të thyhej.
Kvaratskhelia u pengua në zonë nga Christian Mosquera. Mbrojtësi spanjoll shkaktoi penallti dhe kjo u konfirmua me VAR.
Pasi PSG-ja i barazoi shifrat me Dembelen, fituesin e “Topit të Artë”, pati edhe disa mundësi shënimi, njësoj si Arsenali. Por, gola nuk u shënuan më dhe ndeshja pas 120 minutave u mbyll 1:1.
Në ekzekutimin e penalltive më të saktë ishin lojtarët e ekipit francez. Pas penalltisë së Gabrielit, që gjuajti lartë mbi portë, shpërtheu festa.
“Jemi të dëshpëruar që e humbëm finalen në penallti. Ka qneë një sezon i jashtëzakonshëm, ishte ndeshja e 63-të për ne sonte. Kemi dhënë çdo gjë deri në këtë pikë dhe penalltitë janë lotari. I humb ose i fiton ato. Edhe ekipet më të mira ndonjëherë humbin në penallti”, theksoi Declan Rice, kapiteni i Arsenalit.
PSG-ja e fitoi trofeun e dytë më prestigjioz evropian, ndërsa për Arsenalin ishte finalja e dytë e humbur pas asaj ndaj Barcelonës, dhe e para pas 20 vjetësh.
Dhe e gjithë merita për sukseset e PSG-së është te arkitekti, tekniku spanjoll Luis Enrique. Luis Enrique është në mesin e pesë trajnerëve që kanë fituar tri apo më shumë trofe të Kupave Evropiane apo Ligës së Kampionëve. Carlo Ancelotti prin në këtë listë me pesë trofe, ndërsa Luis Enrique me nga tre trofe barazohet me Bob Paisleyn, Zinedine Zidanen dhe Pep Guardiolan. Luis Enrique një trofe e ka të fituar edhe me Barcelonën në vitin 2015.
