Day: March 12, 2026

Delegacioni i Federatës së Futbollit të Kosovës, i përbërë nga presidenti Agim Ademi, nënkryetari Agim Dibrani dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Samir Ujkani, ka zhvilluar sot një takim konstruktiv me ministrin e ri të Sportit, Blerim Gashani. Sipas njoftimit të FFK-së, gjatë takimit, presidenti Ademi e uroi ministrin Gashani për detyrën e re dhe vlerësoi faktin që drejtimi i këtij dikasteri tani është në duar të një ish futbollisti dhe pasionanti të madh të futbollit. Ai e informoi ministrin për rrugëtimin dhe zhvillimin e Federatës, organizimin e garave vendore dhe përfaqësimin e ekipeve kombëtare të Kosovës, duke ofruar bashkëpunim të plotë për avancimin e futbollit në vend dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ministri Gashani vlerësoi punën e bërë nga FFK-ja, duke përgëzuar sukseset e arritura dhe performancën e ekipeve. Ai nënvizoi se sporti për të nuk është vetëm një obligim institucional, por edhe një pasion i veçantë dhe garantoi vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit me FFK-në. Një nga temat kryesore të diskutuara ishte infrastruktura sportive, e cila mbetet sfidë për futbollin në Kosovë. Federata dhe Ministria theksuan nevojën për përshpejtim të punës në ndërtimin dhe përfundimin e stadiumeve, të cilat janë jetike për zhvillimin e sportit dhe organizimin dinjitoz të ndeshjeve vendore dhe ndërkombëtare.  Me këtë rast, ministri Gashani njoftoi se po zhvillon vizita në stadiumet që janë në ndërtim e sipër dhe konfirmoi se përfundimi i tyre është prioritet i ministrisë që ai drejton, duke shtuar se nuk do të tolerohen vonesa të pajustifikuara. Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua edhe për ndeshjet e ardhshme të Kombëtares së Kosovës në kuadër të ‘play-off’-it për Kupën e Botës 2026 dhe rëndësinë e mbështetjes institucionale për organizimin sa më të mirë të tyre.