Gashani: Ministria e Sportit partner i fuqishëm i FFK-së
Ministria e Sportit ka shkruar për takimin që ministri Blerim Gashani, ka zhvilluar me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Sipas njoftimit të Ministrisë, gjatë këtij takimi u diskutua për zhvillimin dhe avancimin e futbollit në Kosovë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë dhe Federatës së Futbollit.
“Palët vlerësuan rëndësinë e mbështetjes institucionale për sportin, me theks të veçantë në përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe krijimin e mundësive më të mira për të rinjtë dhe sportistët”, thuhet në njoftim.
Ministri Blerim Gashani theksoi se ministria do të vazhdojë të jetë partner i fuqishëm në zhvillimin e sportit dhe në mbështetjen e federatave sportive, ndërsa kryetari Agim Ademi shprehu mirënjohje për bashkëpunimin dhe përkrahjen institucionale ndaj futbollit në Kosovë, thekson tutje Ministria e Sportit.
Në fund të takimit, të dy palët u zotuan për vazhdimin e bashkëpunimit në projekte dhe iniciativa që kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të futbollit dhe sportit në vend.
