Roberto Mançini ka bërë parashikimin e tij për garën e titullit në Serie A, duke e cilësuar Romën si favorite për ta fituar kampionatin italian.
Në një intervistë të fundit, trajneri i Italisë ka vlerësuar se, pavarësisht se Interi ka skuadrën më të mirë, Roma mund të jetë ajo që do ta fitojë titullin.
“Besoj se Roma do ta fitojë titullin, edhe pse Interi ka skuadrën më të mirë”, ka deklaruar Mançini.
Ai ka folur edhe për Napolin, nga i cili kishte pritur më shumë në fillim të sezonit, por që është përballur me probleme të shumta për shkak të lëndimeve.
Mançini ka paralajmëruar gjithashtu se nuk duhet nënvlerësuar Lazio, duke theksuar se nuk pret që kjo skuadër të pësojë rënien që po parashikojnë disa.
Në intervistë, selektori italian ka kritikuar edhe klubet për mungesën e interesimit ndaj kombëtares.
“Klubet nuk interesohen për ekipin kombëtar, prandaj nuk ka kuptim të ankohemi për situatën në të cilën ndodhemi prej 12 vjetësh. Futbollistët që janë pjesë e kombëtares duhet të fitojnë përvojë, edhe nëse kjo u kushton klubeve tona humbjen e pikëve”, ka thënë Mançini.