José Mourinho nuk i ka kursyer kritikat pas humbjes 2-1 ndaj Alavesit, duke u ndalur te paraqitja e skuadrës së tij, vendimet e arbitrit dhe disa episode kontroverse gjatë ndeshjes.
Trajneri analizoi fillimisht arsyet taktike të disfatës, duke pranuar se skuadra e tij pati posedimin e topit, por nuk arriti të krijonte rrezik të mjaftueshëm në zonën kundërshtare.
“Po e qarkullonim topin, po e dërgonim nga njëra anë në tjetrën, por nuk po e pushtonim zonën”, u shpreh Mourinho.
Ai foli edhe për vështirësitë në gjetjen e zgjidhjeve në sulm, duke përmendur ngjashmërinë e profileve të disa lojtarëve dhe mungesën e freskisë fizike. Sipas tij, skuadra nuk arriti të gjente mënyrën e duhur për të depërtuar përballë organizimit mbrojtës të Alavesit.
Mourinho vlerësoi gjithashtu planin taktik të kundërshtarit, duke theksuar se skuadra e Kikes ishte përgatitur mirë për ta mbyllur hapësirën dhe për të rrezikuar përmes kundërsulmeve.
Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e konferencës së tij iu kushtua arbitrimit. Portugezi kritikoi veçanërisht episodet kur nga pankina u futën topa të tjerë në fushë për të ndërprerë lojën.
“Dy topa në fushë janë diçka e shëmtuar”, deklaroi ai, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si arbitri menaxhoi këto situata dhe vonesat gjatë ndeshjes.
Trajneri u ndal edhe te rasti i penalltisë së pretenduar nga Jude Bellingham. Mourinho pranoi se nga pamjet që kishte parë në iPad, ndërhyrja i ishte dukur e dyshimtë dhe ndoshta e ekzagjeruar, por shtoi se i beson versionit të mesfushorit anglez, i cili i kishte thënë se kishte pasur kontakt.
Në fund, Mourinho lëshoi edhe një thumbim të drejtpërdrejtë ndaj arbitrit, duke kujtuar përjashtimet e mëparshme të yjeve të Real Madridit.
“Ky arbitër… të shohim kë do të përjashtojë sezonin e ardhshëm. Dy sezone më parë ishte Mbappe, sezonin e kaluar besoj Vinicius, ndërsa këtë sezon Jude Bellingham. Të shohim nëse sezonin e ardhshëm i vjen radha Courtois. Besoj se ky arbitër ka diçka… i pëlqen të tregojë fuqinë e tij, i pëlqen të tregojë se është fenomen”, u shpreh Mourinho.
Megjithatë, portugezi theksoi se nuk dëshiron ta arsyetojë humbjen me vendimet e gjyqtarit, duke pranuar se Alavesi e zbatoi me sukses planin e tij dhe shfrytëzoi rastet e krijuara.
Humbja 2-1 ishte një goditje për skuadrën e Mourinhos, e cila pas gjashtë fitoreve radhazi u ndal në shtëpi, ndërsa përjashtimi i Bellinghamit e bëri edhe më të hidhur mbrëmjen në “Santiago Bernabeu”.