Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi ka theksuar rëndësinë historike të kësaj date, duke e cilësuar atë si simbol të bashkimit, krenarisë dhe identitetit kombëtar.
Ai ka kujtuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, sakrificën e familjes Jashari dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si pjesë të rrugëtimit të popullit shqiptar drejt lirisë.
Ademi ka përmendur gjithashtu ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen publike të UÇK-së, duke vlerësuar kontributin e tyre në historinë kombëtare.
Kreu i FFK-së ka theksuar edhe rolin e futbollit si një urë bashkimi mes shqiptarëve, pa dallim moshe apo vendi ku jetojnë.
Në urimin e tij, Ademi ka shprehur dëshirën që Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trojet shqiptare të ecin përpara, të zhvillohen dhe të forcojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Ai ka përcjellë edhe një mesazh për ish-krerët e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, duke uruar që sa më parë ta festojnë 28 Nëntorin në liri dhe pranë familjeve të tyre.
Postimi i tij i plotë:
Urime 28 Nëntori, Dita e Flamurit! 🇦🇱
Sot festojmë një datë që zë vend të veçantë në historinë tonë kombëtare. Është dita kur flamuri kuqezi bëhet simbol edhe më i fuqishëm i bashkimit, krenarisë dhe identitetit tonë kombëtar.
Kjo datë na kthen te rrugëtimi i gjatë i popullit shqiptar drejt lirisë dhe shtetësisë. Nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, te sakrifica e familjes Jashari dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 28 Nëntori mbetet dëshmi e qëndresës dhe e përkushtimit për liri.
Në këtë ditë kujtojmë edhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari, si dhe daljen publike të UÇK-së, ngjarje që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë.
E për ne në futboll, kjo festë ka edhe një domethënie të veçantë. Futbolli është një prej urave më të fuqishme që na bashkon, pa dallim moshe, vendi apo gjenerate. Përmes tij përcillet krenaria jonë dhe forcohet lidhja mes shqiptarëve kudo që jetojnë.
Të vazhdojmë ta festojmë këtë datë, duke ruajtur kujtesën historike dhe duke përcjellë te brezat e rinj vlerat e sakrificës, bashkimit dhe atdhedashurisë.
Uroj të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen festën e Flamurit, me dëshirën që Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trojet shqiptare të ecin përpara, të zhvillohen dhe ta forcojnë edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Sot kujtojmë me respekt dhe mirënjohje të gjithë ata që, në periudha të ndryshme të historisë, nuk kursyen asgjë për atdheun, teksa uroj që çlirimtarët që po përballen me procesin e Hagës sa më parë ta festojnë këtë datë në liri dhe pranë familjeve të tyre.
Urime 28 Nëntorin! 🇦🇱🇽🇰