Legjenda braziliane e futbollit, Ronaldo Nazario, ka zbuluar arsyen kryesore pse u largua nga Barcelona pas vetëm një sezoni dhe vendosi të transferohej te Interi në vitin 1997.
Në një intervistë në podcastin e njohur “Stick to Football”, ku ishte i ftuar së bashku me legjenda të futbollit si Gary Neville, Jamie Carragher dhe Roy Keane, Ronaldo pranoi se faktori financiar ishte vendimtar në atë transferim.
“Barcelona më bleu për 20 milionë, ndërsa unë përfitova një pjesë të mirë të atyre parave. Atje fitoja dy milionë në vit, kurse Interi më ofroi tetë milionë. Prandaj vendosa të largohesha”, deklaroi braziliani.
Ronaldo pati një sezon të jashtëzakonshëm me fanellën e Barcelonës në edicionin 1996/97, duke realizuar 47 gola në 49 ndeshje zyrtare.
Megjithëse më parë kishte folur edhe për dështimin e negociatave për rinovimin e kontratës me klubin katalunas, këtë herë ai e bëri të qartë se oferta katërfish më e lartë e Interit ishte arsyeja kryesore e largimit.
Transferimi i vitit 1997 theu rekordin botëror të atëhershëm për një futbollist. Vetëm gjashtë muaj pas kalimit në Milano, Ronaldo fitoi edhe Topin e parë të Artë në karrierën e tij.