Los Angeles Lakers kanë pësuar një humbje dramatike nga San Antonio Spurs me rezultat 99:96, pasi shpërdoruan një epërsi prej 20 pikësh në ndeshjen e NBA-së.
Mbrëmja ishte e veçantë edhe për Luka Donçiqin, i cili realizoi 31 pikë, gjashtë kërcime dhe tetë asistime, por në fund u largua nga parketi me humbje dhe u përball me një incident të pakëndshëm.
Teksa po shkonte drejt tunelit të zhveshtoreve, basketbollisti slloven hodhi një objekt në drejtim të tribunave, i cili goditi një grua. Bashkëshorti i saj reagoi dhe e shtyu Donçiqin, duke shkaktuar një përplasje të shkurtër. Nuk pati përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.
Sa i përket ndeshjes, Lakers patën një fillim shumë të mirë dhe në çerekun e dytë krijuan epërsi prej 43:23. Në pushim shkuan me rezultat 54:38.
Megjithatë, San Antonio reagoi fuqishëm në pjesën e dytë. Spurs ngushtuan diferencën me një seri prej 14:2 dhe arritën ta barazonin rezultatin në 68:68 para çerekut të fundit.
Në dhjetë minutat e fundit, vendasit e morën kontrollin e lojës dhe siguruan fitoren 99:96.
Stephon Castle ishte më i dalluari te Spurs me 26 pikë e nëntë asistime, ndërsa Victor Wembanyama kontribuoi me 25 pikë dhe 16 kërcime.
Kjo fitore i mundësoi San Antonios të sigurojë vendin e fundit në çerekfinale të NBA Cup, ndërsa mori edhe kreun e Konferencës Perëndimore me bilanc prej 16 fitoresh dhe katër humbjesh. Lakers tani kanë bilanc 15-4.