Llapi po kalon në një formë gjithnjë e më të mirë. Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina ka regjistruar fitoren e tretë radhazi në Superligën e Kosovës, duke triumfuar në një ndeshje spektakolare ndaj Malishevës.
Pas fitoreve ndaj Dukagjinit dhe Vushtrrisë, llapjanët kanë marrë tri pikët e plota edhe në udhëtim te Malisheva, të cilën e mposhtën me rezultat 3:2, në kuadër të xhiros së 15-të.
Vendasit kaluan të parët në epërsi në minutën e 23-të, kur Xhemal Ibishi shënoi për 1:0. Megjithatë, reagimi i Llapit ishte i menjëhershëm. Vetëm dy minuta më vonë, Fiton Ademi barazoi shifrat në 1:1.
Malisheva riktheu epërsinë në pjesën e parë përmes Kreshnik Ukës, i cili realizoi për 2:1.
Por Llapi nuk u dorëzua. Në minutën e 61-të, Fiton Ademi shënoi golin e dytë personal, duke e rikthyer baraspeshën në 2:2.
Momenti që ndryshoi rrjedhën e ndeshjes ishte përjashtimi i Arlind Veliut, i cili u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la Malishevën me një lojtar më pak.
Llapi shfrytëzoi epërsinë numerike dhe në minutën e 82-të gjeti golin e fitores. Pjero Shkariq realizoi nga afërsia për rezultatin përfundimtar 2:3.
Me këtë fitore, Llapi shkon në kuotën e 14 pikëve pas 15 ndeshjeve dhe renditet në vendin e tetë, ndërsa Malisheva mbetet e dyta me 30 pikë.
Tri fitore radhazi dhe një rikthim i madh: Llapi po jep sinjale të qarta se ka nisur të dalë nga kriza.