Ish-sulmuesi italian, Christian Vieri, ka analizuar situatën aktuale te Juventusi, duke vlerësuar se skuadra bardhezi ka mungesë të futbollistëve të nivelit të lartë.
Vieri, i cili në të kaluarën ka luajtur edhe për Juventusin, mendon se problemi i trajnerit Luciano Spalletti nuk lidhet vetëm me mungesën e një sulmuesi fizik dhe shtatlartë.
Sipas tij, skuadrës torineze i mungojnë lojtarët me cilësi të veçanta, të aftë për të bërë diferencën në fushë.
“Spalletti thotë se i duhet një sulmues shtatlartë, siç isha unë dikur, por ky nuk është problemi i vetëm. Juventusit i mungojnë futbollistët e klasit, kampionët e vërtetë”, ka deklaruar Vieri.
Ai ka theksuar se emri dhe pesha e Juventusit në futbollin italian mbeten të mëdha, por ka vënë në pikëpyetje cilësinë e disa futbollistëve që klubi ka përzgjedhur në vitet e fundit.
Megjithatë, Vieri ka pranuar se përforcimi i skuadrës nuk është i lehtë në futbollin e sotëm, për shkak të kufizimeve financiare dhe rregullave të Fair Play-it Financiar.