Drejtori sportiv i Bayern Munichut, Max Eberl, ka shprehur mbështetjen e plotë të klubit për Jamal Musialën, duke e cilësuar situatën e tij si një tragjedi njerëzore.
Musiala po kalon një periudhë shumë të vështirë, ndërsa problemet shëndetësore dhe lëndimet e njëpasnjëshme e kanë detyruar të qëndrojë jashtë fushave për periudha të gjata.
Rasti i tij është bërë temë diskutimi edhe pas deklaratave të legjendave të klubit, Uli Hoeness dhe Karl-Heinz Rummenigge, të cilat shkaktuan reagime në opinionin publik gjerman.
Në prag të ndeshjes ndaj Hamburgut, Eberl foli për gjendjen e futbollistit dhe theksoi se Bayern do t’i japë kohën e nevojshme për rikuperim.
“Ajo që po ndodh me Musialën është një tragjedi njerëzore. Ne, si klub, do t’i japim kohë dhe hapësirë për t’u rehabilituar”, deklaroi Eberl.
Ai kërkoi gjithashtu që të marrë fund debati publik rreth futbollistit.
“Të gjithë në klub duam qetësi dhe bashkim. Mjaft më me diskutimet për këtë temë”.
“Madje nuk mund ta imagjinojmë se çfarë ka përjetuar Jamal gjatë 17 muajve të fundit. Është vërtet çnjerëzore ajo që këtij djaloshi i është dashur të përballojë. Asnjë shumë parash në botë nuk mund t’ia kompensojë atë që ka përjetuar. Prandaj, ai do ta ketë mbështetjen maksimale të klubit”, përfundoi drejtori sportiv i Bayern Munichut.