Tregimi i Viallit për sëmundjen: Mund t’ju mësojë shumë për mënyrën se si jeni krijuar

Ai i ka bërë tifozët e futbollit të ëndërrojnë për dekada, jo vetëm për “bëmat” e tij mes Sampdorias dhe Juventusit, por edhe dhe mbi të gjitha për momentet e emocionit të pastër që na ka dhuruar me kombëtaren italiane.
Nga Kupa e Botës në Meksikë 1986 tek Italia 1990, duke kaluar në Kampionatin Evropian më 1988, Gianluca Vialli ishte një prani e vazhdueshme edhe për ata që nuk e kanë ndjekur kurrë futbollin nga afër, me mënyrat e tij elegante.
Një zmbrapsje për skandalet jo gjithmonë të përhapura mes futbollistëve, sidomos në kohët më të fundit. Dhe lajmi i hidhur që mbërriti sot, 6 janar 2023, pak ditë pasi vetë Vialli deklaroi se i duhej të merrte kohë nga gjithçka për t’u përqendruar në këtë betejë, i la të gjithë zemërthyer.
Përtej “bëmave” të tij sportive, Vialli ishte për të gjitha qëllimet edhe një fytyrë qetësuese dhe e sjellshme për audiencën televizive, që kur, në sezonin 1989-1990, ai ishte një nga komentuesit në programin e javës së golit në “Italia 1”. Falë tërheqjes së tij nga aktiviteti konkurrues, kontaktet e Viallit me botën e televizionit janë shtuar.
Gjithmonë ngurrues për të folur për çdo gjë që nuk lidhej me fushën e tij të ekspertizës, botën e futbollit dhe sportit në përgjithësi, Vialli ka mbetur gjithmonë një figurë disi misterioze. Vialli gjatë viteve ka folur pak ose aspak për jetën e tij private dhe ndoshta kjo është arsyeja pse ka arritur të hyjë në zemrat e njerëzve. Diçka më shumë kishte dalë pas librit të tij të dytë, “Objektivat”, dhe historisë së betejës me të cilën po përballej që nga viti 2017 kundër kancerit të pankreasit.
Edhe ata që i kanë qëndruar gjithmonë larg botës së futbollit nuk mund të mos prekeshin nga imazhi i përqafimit mes Roberto Mancinit dhe Viallit pas fitores së Italisë në Kampionatin Evropian të Futbollit 2020. Ishte 11 korriku 2021, menjëherë pas triumfit të Italisë në finale, me penallti kundër Anglisë. Të dy, të cilët kanë qenë gjithmonë miq të ngushtë, e mbajtën njëri-tjetrin në një përqafim festiv plot kuptim edhe në dritën e paralajmërimit të betejës me të cilën Vialli po përballej prej disa vitesh.
Pjesëmarrja e tij e fundit në programin e Alessandro Cattelan në Netflix, “Një pyetje e thjeshtë”, ishte e paharrueshme. Gianluca Vialli iu bashkua Cattelan në udhëtimin e tij në kërkim të lumturisë, duke treguar historinë e tij sinqerisht dhe drejtpërdrejt; marrëdhënien e tij me sëmundjen, të cilën e përcaktoi si “një shoqëruese e re udhëtimi”.
“Nëse, për shembull, vdes papritur natën, shumë gjëra mbeten të papërfunduara. Sot e di që e kam për detyrë të sillem në një mënyrë ndaj njerëzve, ndaj gruas sime, ndaj vajzave të mia, sepse nuk e di sa do të jetoj. Pra, jeta ta jep këtë mundësi për të shkruar letrat, për t’i rregulluar gjërat absolutisht”.
Kështu shprehej Vialli, me sinqeritet të plotë, duke iu përgjigjur pyetjeve delikate të Cattelan. Një intervistë me zemër të hapur, në të cilën Vialli shpjegoi vendimin e tij për të mos humbur më kohë:
“E kuptova që nuk ia vlen më të humbasësh kohë dhe të bësh budallallëqe. Bëni gjërat që ju pëlqejnë dhe jeni të apasionuar, për pjesën tjetër nuk ka kohë. Ne jemi këtu të përpiqemi të kuptojmë kuptimin e jetës dhe unë ju them: kam frikë të vdes”.
Duke folur për marrëdhënien e tij me sëmundjen, Vialli nënvizonte se kishte mësuar t’iu jepte peshën e duhur edhe gjërave të vogla: “Sëmundja nuk është vetëm vuajtje. Ka disa momente të bukura. Sëmundja mund t’ju mësojë shumë për mënyrën se si jeni krijuar, mund t’ju shtyjë edhe më tej sesa mënyra sipërfaqësore në të cilën jetojmë jetën tonë. E shoh edhe si një mundësi.
Nuk do t’ju them se shkoj aq larg sa të jem mirënjohës për kancerin, por nuk e shoh atë si një betejë. E kam thënë disa herë. Nëse do të filloja të luftoja me kancerin, do të shkatërrohesha. E konsideroj një fazë të jetës sime, një shoqërues udhëtimi, që shpresoj herët a vonë të lodhet dhe të më thotë: Ok, të kam strapacuar, nuk të kam lejuar të ndjekësh një rrugë që do, tani je gati”.