Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka folur sërish për Edon Zhegrovën, duke shpjeguar arsyen që e shtyu t’i besonte futbollistit kosovar nga minuta e parë në ndeshjen kundër Venezias.
Në konferencën për shtyp të mbajtur të mërkurën, në prag të përballjes me Omonian në Ligën e Evropës, Spalletti ka bërë të ditur se kalendari i ngjeshur ka ndikuar në vendimet e tij për përbërjen e skuadrës.
Juventusi ka tri ndeshje të rëndësishme brenda një periudhe të shkurtër, prandaj tekniku italian synon të menaxhojë sa më mirë energjitë e futbollistëve dhe t’u japë hapësirë më shumë lojtarëve.
Në këtë plan bën pjesë edhe Edon Zhegrova, i cili të dielën ndaj Venezias e pati një mundësi të rëndësishme, duke luajtur për herë të parë si titullar dhe duke e kompletuar të gjithë ndeshjen.
27-vjeçari e shfrytëzoi mirë besimin e trajnerit, duke kontribuar me një asistim në fitoren bindëse 4:0 të Juventusit.
Duke folur për rotacionet e mundshme, Spalletti e përmendi drejtpërdrejt edhe futbollistin e Kosovës.
“Pikërisht për shkak të tri ndeshjeve lindi edhe mundësia që Zhegrova të kishte rastin të luante nga minuta e parë. Qëllimi është të bëjmë një rotacion të duhur, në mënyrë që skuadra t’i përballojë të tri ndeshjet pa i ngarkuar tepër futbollistët”, ka deklaruar Spalletti.
Juventusi të enjten përballet me Omonian në kuadër të xhiros së pestë të fazës së ligës në Ligën e Evropës, ndërsa të dielën e pret një tjetër sfidë, kësaj radhe në kampionat, ndaj Comos.
Zhegrova nuk është pjesë e listës së Juventusit për Ligën e Evropës, ndaj mundësitë e tij për aktivizim në këtë periudhë lidhen me garat vendore.
Futbollisti kosovar këtë edicion ka regjistruar dy gola dhe tri asistime në dhjetë paraqitje me fanellën e Juventusit.