Kriza e Manchester Unitedit ka arritur në atë pikë sa disa tifozë të klubit anglez kanë filluar ta shohin edhe rënien nga Premierliga si një mundësi për të nisur gjithçka nga e para.
Pas humbjes së rëndë 0:4 dhe kartonit të kuq që në minutën e tetë, zhgënjimi te tifozët e Unitedit është shndërruar në kritika të ashpra ndaj drejtuesve dhe futbollistëve të skuadrës.
Në një nga reagimet e publikuara në rubrikën e lexuesve të portalit Football365, një tifoz i Manchester Unitedit shprehet se nuk do ta kishte problem as rënien në Championship, nëse kjo do të shërbente për të larguar lojtarët që, sipas tij, nuk po japin maksimumin për fanellën e klubit.
Ai veçanërisht kritikon futbollistët me paga të larta, duke përmendur Youri Tielemansin dhe Santosin, ndërsa vlerëson se do të preferonte të shihte talentet e akademisë, si Shea Lacey, duke marrë më shumë hapësirë.
“Çdo tifoz i vërtetë do të preferonte të shihte një Shea Lacey duke shpërthyer, sesa një Tielemans që duket sikur luan pa dëshirë çdo javë”, thuhet në reagimin e tifozit.
Sipas tij, një rënie eventuale në kategorinë e dytë mund ta detyronte klubin të ndryshonte rrënjësisht strategjinë, të mbështetej më shumë te futbollistët e rinj dhe të largonte lojtarët që nuk po justifikojnë investimet.
Madje, tifozët shpresojnë se një skenar i tillë mund të ndikonte edhe në largimin e pronarëve aktualë, familjes Glazer dhe kompanisë INEOS, të cilët vazhdojnë të jenë në qendër të pakënaqësive.
Ndërkohë, në rubrikën e njëjtë ka pasur edhe reagime ironike nga tifozë të rivalëve, të cilët madje ëndërrojnë ta shohin Manchester Unitedin dhe Manchester Cityn së bashku në Championship sezonin e ardhshëm.
Është një tjetër dëshmi e përmasave të krizës që po kalon një prej klubeve më të mëdha në historinë e futbollit anglez.