Ylli i Manchester Cityt, Erling Haaland, është përfshirë në një betejë të pazakontë ligjore për të drejtat mbi mbiemrin e tij. Përballë tij është një elektricist polak, i cili pretendon se e ka regjistruar markën “Haaland” në Bashkimin Evropian para sulmuesit norvegjez.
Erling Haaland është mësuar të përballet me mbrojtësit më të fortë në futbollin evropian, por këtë herë kundërshtari i tij nuk vjen nga fusha e blertë.
Bëhet fjalë për një elektricist polak, i cili në vitin 2022 kishte regjistruar emrin “Haaland” si markë tregtare në Bashkimin Evropian, duke përfshirë në regjistrim një gamë të gjerë produktesh, mes tyre veshje sportive, këpucë futbolli dhe pije energjike.
Problemi për yllin e Manchester Cityt nisi në vitin 2023, kur ai tentoi të regjistronte emrin e tij si markë personale, por u përball me pengesën e regjistrimit të mëhershëm.
Avokatët e Haalandit kundërshtuan regjistrimin, duke argumentuar se pronari i markës synonte të përfitonte nga fama ndërkombëtare e futbollistit. Megjithatë, elektricisti i mohoi këto pretendime, duke këmbëngulur se emrin e kishte krijuar vetë, duke e lidhur fjalën polake “hala” me fjalën angleze “land”. Sipas tij, në kohën e regjistrimit nuk kishte pasur dijeni për futbollistin norvegjez.
Haaland fitoi dy raundet e para
Në shtator të vitit 2025, Zyra e Bashkimit Evropian për Pronësinë Intelektuale (EUIPO) vendosi në favor të sulmuesit norvegjez, duke mos e pranuar pretendimin se regjistrimi ishte bërë pa dijeni për famën e tij.
Në maj të vitit 2026, edhe ankesa e elektricistit u refuzua, duke i dhënë Haalandit një tjetër fitore në këtë betejë ligjore.
Por çështja nuk përfundoi këtu.
Sipas raportimeve të mediumit norvegjez “VG”, elektricisti ka vendosur ta dërgojë rastin në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian në Luksemburg.
Pretendon se Haaland nuk mund ta ketë ekskluzivitetin mbi mbiemrin
Në mbrojtjen e tij, elektricisti argumenton se “Haaland” është një mbiemër norvegjez dhe se përdoret edhe në emërtime gjeografike. Për këtë arsye, ai kundërshton pretendimin se futbollisti duhet të ketë të drejta ekskluzive mbi këtë emër.
Ende nuk dihet se kur do të nisë shqyrtimi i çështjes në Gjykatën e BE-së, ndërsa beteja ligjore pritet të vazhdojë.
Për Haalandin, mbrojtja e emrit dhe e imazhit personal ka rëndësi të madhe edhe në aspektin komercial, duke pasur parasysh vlerën e kontratave të sponsorizimit dhe produkteve që lidhen me yllin norvegjez.
Kështu, një elektricist polak është shndërruar në kundërshtarin më të pazakontë të sulmuesit të Manchester Cityt, në një përballje që tashmë ka kaluar nga zyrat e markave tregtare në gjykatën më të lartë të BE-së.