Capital T paralajmëron diçka të madhe për vitin tjetër
Screenshot
Ylli i njohur i muzikës shqiptare Capital T ka bërë të ditur se viti 2026 ka qenë një vit i veçantë për të, pasi ka zgjedhur të marrë një pauzë nga koncertet dhe skena, duke iu përkushtuar më shumë muzikës dhe përgatitjes së një albumi të ri.
Në një postim të gjatë në Instagram, Capital T ka treguar se “Wine & Stories of Berat” ishte koncerti i tij i vetëm gjatë këtij viti, ndërsa ka shpjeguar arsyet që e shtynë të largohej përkohësisht nga performancat.
Ai thotë se pas shumë vitesh me koncerte, udhëtime, festivale dhe mijëra njerëz përballë tij, këtë vit mori një vendim të vetëdijshëm për të mos performuar.
“Wine & Stories of Berat ishte koncerti im i vetëm për këtë vit. Kjo pauzë nga skena ishte diçka që më duhej më shumë sesa e kisha menduar”, ka shkruar Capital T.
Sipas tij, një pjesë e këtij vendimi lidhej edhe me situatën që po kalon shoqëria.
“Ka momente kur muzika dhe festa nuk mund të ekzistojnë krejtësisht të shkëputura nga realiteti që na rrethon. Ndonjëherë duhet të ndalesh, të shikosh përreth dhe të kuptosh se çfarë po ndodh jashtë botës tënde”, është shprehur ai.
Por pauza, siç tregon Capital T, kishte edhe një arsye personale. Ai kishte nevojë për kohë larg zhurmës, presionit për të qenë vazhdimisht prezent dhe ritmit të pandalshëm të këngëve dhe koncerteve.
Gjatë kësaj kohe, ai është fokusuar në studio dhe në përgatitjen e një albumi të ri, i cili sipas tij nuk do të jetë thjesht vazhdim i asaj që ka bërë deri tani.
“Dua të flas për gjëra të tjera. Të prek tema që ndoshta nuk i kam prekur më parë. Të tregoj perspektivën e njeriut që jam sot, pas gjithë këtyre viteve, jo vetëm artistin që publiku e njeh deri tani”, ka shkruar ai.
Capital T ka folur edhe për rrugëtimin e tij artistik dhe ambicien për të shtyrë vazhdimisht kufijtë.
Ai kujton kohën kur ideja ishte që muzika e tij të mos kufizohej vetëm në paraqitjet në klubet e natës, por të krijohej diçka më e madhe.
“Gjithmonë kam dashur t’i shtyj kufijtë. Të krijoj trende, jo vetëm t’i ndjek ato”, ka theksuar reperi.
Duke parë zhvillimet e fundit në industrinë muzikore shqiptare, me rritjen e koncerteve të mëdha, produksioneve serioze dhe performancave live, Capital T thotë se nuk e sheh këtë si konkurrencë.
Përkundrazi, ai shprehet se kjo e gëzon.
“Kjo ma ngroh zemrën. Sepse do të thotë që kultura është rritur. Standardi është ngritur. Artistët po ëndërrojnë më shumë dhe publiku po kërkon më shumë”, shkruan ai.
Dhe pikërisht në vitin kur vendosi të largohej përkohësisht nga skena, Capital T thotë se i është rikthyer edhe më fuqishëm dëshira për të performuar.
Koncerti “Wine & Stories of Berat”, sipas tij, ia rikujtoi lidhjen e veçantë mes artistit dhe publikut.
“Ishte vetëm një natë, por pas gjithë kësaj pauze e shijova ndryshe. Çdo këngë. Çdo moment. Çdo fytyrë në publik”, shkruan ai.
Capital T veçon veçanërisht faktin se shumë prej këngëve të tij po këndohen sot nga gjenerata të reja, përfshirë edhe të rinj që nuk kanë qenë ende të lindur kur ato këngë janë krijuar dhe publikuar.
Për të, kjo është një nga dëshmitë më të fuqishme të lidhjes që muzika mund të krijojë ndërmjet artistit dhe publikut.
“Ndoshta kjo pauzë u desh të ndodhte pikërisht për këtë arsye: që ta kujtoj sa shumë e dua skenën dhe sa shumë dua të jem afër jush, për të ndarë momente të mira e të vështira përmes muzikës që na bashkon”, është shprehur ai.
Pas 20 vitesh në muzikë, Capital T nuk duket se po mendon për një tërheqje. Përkundrazi, ai paralajmëron një kapitull të ri dhe ambicioz në karrierën e tij.
“20 vite më vonë, në vend që të ndihem sikur kam bërë mjaftueshëm, ndihem sikur po më lind një ide edhe më e madhe”, ka shkruar ai.
Dhe ideja duket se është një turne i madh muzikor.
Capital T ka paralajmëruar një turne “World Wide” All HipHop, me të ftuar specialë, i cili synon të shtrihet në qytete të ndryshme të botës.
“Një turne që na bashkon në çdo cep të botës, si kundërpërgjigje ndaj atyre që duan të na përçajnë dhe duke përfaqësuar potencialin dhe identitetin tonë përmes artit dhe kulturës shqiptare”, ka bërë të ditur ai.
Capital T e ka mbyllur paralajmërimin me një mesazh të qartë: 2027-ta pritet të sjellë një kapitull të ri në rrugëtimin e tij muzikor, ndërsa detajet për albumin dhe turneun do të publikohen së shpejti.

