Tuchel pas fitores: E merituar, por shumë më e vështirë se sa do të donim
Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, pranoi se fitorja ndaj Republikës Demokratike të Kongos (2:1) nuk ishte aspak e lehtë, teksa vlerësoi reagimin dhe karakterin e skuadrës së tij.
“Do të kishim dashur një ndeshje më të lehtë, me gol të hershëm dhe një pasdite të qetë, por futbolli nuk është kështu. Duhet të përballesh me situatat si vijnë. Pësuam shumë herët, por pas pushimit të parë kishim 3-4 raste të mëdha, ndoshta edhe një situatë penalltie. Vazhduam të sulmojmë, të sulmojmë, derisa e thyem murin. Portieri i tyre bëri pritje të jashtëzakonshme, prandaj u bë edhe më e vështirë”, tha ai.
Tuchel vlerësoi mentalitetin e skuadrës: “Reagimi dhe besimi i ekipit është i jashtëzakonshëm. Ata nuk u dorëzuan dhe gjetën mënyrën për të fituar. E merituar, plotësisht e merituar”.
I pyetur për Harry Kane, trajneri ishte i qartë: “Është ajo që presim prej tij. Është ajo që pret ai nga vetja. Në ndeshje të tilla të ngushta, Harry është aty për t’i vendosur. Thjesht ‘Top Nivel’”.
Tuchel gjithashtu vlerësoi ndikimin e zëvendësimeve dhe Anthony Gordon, i cili asistoi në të dy golat e Kane.
“E kam thënë gjatë gjithë turneut: energjia dhe fryma e ekipit janë në nivelin më të lartë. Të gjithë e kuptojnë çfarë kërkon kjo fazë e turneut”.
Ai shtoi se atmosfera brenda skuadrës është një nga arsyet kryesore të suksesit: “Të gjithë ndihen të rëndësishëm, qoftë kur luajnë nga fillimi apo kur futen nga bankina. Ky unitet është ai që na mban gjallë”
