Egjipti shkruan histori, eliminon Australinë pas penalltive dhe kalon në 1/8 e finales
Egjipti ka siguruar për herë të parë në histori kualifikimin në fazën e 1/8 së finales të Kupës së Botës, pasi mposhti Australinë me rezultat 4:2 pas ekzekutimit të penalltive, pas barazimit 1:1 në 120 minuta lojë.
Heroi i egjiptianëve ishte Hossam Abdelmaguid, i cili realizoi penalltinë vendimtare, duke vulosur një sukses historik për kombëtaren afrikane në paraqitjen e saj të katërt në një Kampionat Botëror.
Australia pati një nisje të keqe të serisë së penalltive, pasi Harry Souttar goditi mbi portë. Më pas, 18-vjeçari Lucas Herrington qëlloi traversën në tentimin e katërt, duke i hapur rrugën Abdelmaguidit për ta mbyllur sfidën.
Për Egjiptin nga pika e bardhë realizuan Mahmoud Saber, Ramy Rabia, Mohamed Salah dhe Hossam Abdelmaguid, ndërsa për Australinë të saktë ishin Jackson Irvine dhe Awer Mabil. Portieri rezervë Mathew Ryan, i futur në fund të vazhdimeve enkas për penalltitë, nuk arriti të ndalte asnjërën prej katër goditjeve të egjiptianëve.
Koha e rregullt u mbyll 1:1. Egjipti kaloi në epërsi në minutën e 13-të me një gol me kokë të Emam Ashourit, ndërsa Australia barazoi në minutën e 55-të falë një autogoli të Mohamed Hanyt. Me këtë autogol, mbrojtësi egjiptian u bë lojtari i parë në histori që shënon dy autogola në të njëjtin edicion të Kupës së Botës.
Mohamed Salah u aktivizua nga minuta e parë, pavarësisht një dëmtimi në muskujt e pasmë të kofshës që kishte pësuar në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, dhe realizoi me qetësi penalltinë e tij në serinë vendimtare.
Në fazën e 1/8 së finales, Egjipti do të përballet me fituesin e duelit mes Argjentinës dhe Kepit të Gjelbër, ndeshje që do të zhvillohet të martën në Atlanta.
