Futbolli suedez është tronditur nga lajmi për vdekjen e ish-futbollistit Ken Fagerberg, i cili ka ndërruar jetë në moshën 37-vjeçare.
Familja e tij ka bërë të ditur se Fagerberg është gjetur i vdekur në shtratin e tij të hënën. Shkaku i vdekjes ende nuk është bërë i ditur.
Fagerberg vitet e fundit jetonte në Ishujt Faroe, ku pas përfundimit të karrierës si futbollist kishte vazhduar të punonte si trajner.
Ai e nisi karrierën me skuadrën suedeze Örgryte, ku në vitin 2007 shënoi 12 gola në 22 ndeshje në kategorinë e dytë të Suedisë. Paraqitjet e tij të mira i siguruan transferimin te skuadra daneze Midtjylland.
Gjatë karrierës së tij në futbollin danez, ai luajti edhe për Viborgun, Horsensin dhe Vendsysselin. Një nga periudhat më të mira e pati te Viborgu në vitin 2011, kur shënoi dhjetë gola në 13 paraqitje.
Më pas veshi edhe fanellat e Assyriska-s dhe Ljungskile-s, përpara se në vitin 2017 të transferohej në Ishujt Faroe. Atje luajti për 07 Vestur, TB Tvøroyri dhe Royn Hvalba, ku njëkohësisht ushtroi edhe detyrën e trajnerit.
Fagerberg ishte pjesë e grupmoshave të përfaqësueses së Suedisë. Për U19 regjistroi gjashtë paraqitje dhe katër gola, ndërsa kishte luajtur edhe një ndeshje me përfaqësuesen U21.
Babai i tij, Goran, e kujtoi si një njeri jashtëzakonisht të dashur dhe me zemër të artë, duke theksuar se kishte qenë një futbollist me shumë talent.