Screenshot
Portieri i Bayern Munichut, Manuel Neuer, është ndarë nga bashkëshortja e tij, Anika Neuer, vetëm dy muaj pasi çifti u bë prindër për herë të dytë.
Lajmi është bërë i ditur nga gazeta prestigjioze gjermane “Bild”, e cila raporton se martesa e çiftit ka marrë fund, pavarësisht se deri vonë gjithçka dukej se po shkonte mirë në jetën e tyre familjare.
Anika, 26-vjeçare, solli në jetë djalin e tyre të dytë në fund të gushtit, duke e bërë Lucan dyvjeçar vëlla të madh. Megjithatë, vetëm pak javë më vonë, çifti thuhet se ka vendosur t’i japë fund martesës.
I pyetur nga “Bild” për ndarjen, Neuer ka refuzuar të komentojë. Edhe këshilltari i tij për media ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një çështje që i përket jetës private dhe familjare të futbollistit.
Neuer dhe Anika e kishin kurorëzuar dashurinë e tyre në një ceremoni private në nëntor të vitit 2023, ndërsa në korrik të vitit 2025 organizuan një dasmë luksoze disaditore në Tirolin Jugor të Italisë.
Anika kishte qenë pranë portierit edhe gjatë Kampionatit Botëror 2026 në SHBA, ku e kishte shoqëruar së bashku me djalin e tyre, pavarësisht se ishte në pritje të fëmijës së dytë.
Kjo nuk është ndarja e parë në jetën private të portierit gjerman. Neuer më parë ishte i martuar me sportisten e kalërimit, Nina Neuer, me të cilën u nda në vitin 2020, pas rreth tre vitesh martesë.
Edhe lidhja e tij pesëvjeçare me Kathrin Gilch kishte përfunduar papritur pas triumfit të Gjermanisë në Kupën e Botës 2014.
Për momentin, Neuer nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike lidhur me raportimet e fundit për ndarjen nga bashkëshortja.