August 28, 2026

Manchester City triumfon sërish, Haaland dhe Cherki shkëlqejnë ndaj Crystal Palace

Manchester City ka regjistruar fitoren e dytë radhazi në Premier League, pasi ka mposhtur Crystal Palace me rezultat 4:1 në transfertë.

Pas një ndeshjeje më të vështirë në xhiron e parë, “Qytetarët” këtë herë nuk patën shumë probleme dhe e kontrolluan takimin, duke i siguruar tri pikët me një paraqitje bindëse.

Në qendër të vëmendjes ishin Erling Haaland dhe Rayan Cherki, të cilët shënuan nga dy gola.

Haaland e zhbllokoi sfidën në minutën e 17-të, kur pas asistimit të Semeños realizoi me kokë për epërsinë e Cityt.

Më pas ishte radha e Cherkit, i cili në minutën e 54-t shfrytëzoi mirë një top në zonë dhe goditi saktë për 2:0.

Crystal Palace u rikthye përkohësisht në lojë vetëm dy minuta më vonë. Pas një goditjeje nga gjuajtja e lirë, topi u përplas në shtyllë dhe më pas në shpinën e portierit Gianluigi Donnarumma, duke përfunduar në rrjetë si autogol.

Megjithatë, City nuk lejoi që vendasit të shpresonin gjatë. Cherki shënoi sërish në minutën e 59-të, duke rikthyer avantazhin prej dy golash.

Në fund, Haaland vulosi fitoren me golin e tij të dytë, për rezultatin përfundimtar 4:1.

Me këtë sukses, Manchester City regjistron dy fitore në dy ndeshje dhe nis sezonin e ri në Premier League në mënyrë perfekte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *