Egnatia ka regjistruar fitoren e parë në historinë e saj në fazën e ligës së Conference League, duke mposhtur Lincoln Red Imps të Gjibraltarit me rezultat 2:1, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”.
Skuadra nga Rrogozhina e nisi ndeshjen me kujdes, ndërsa rastet më të mira në pjesën e parë i pati në minutat e fundit. Në minutën e 41-të, goditja e Jaime u ndal nga shtylla, ndërsa katër minuta më vonë Alessandro Albanese nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë, duke e mbyllur pjesën e parë pa gola.
Megjithatë, kampionët e Shqipërisë nuk vonuan të gjenin rrugën drejt golit pas pushimit. Në minutën e 48-të, Alessandro Albanese zhbllokoi rezultatin, pas një aksioni të bukur të ndërtuar nga Yago dhe asistimit të Medeiros.
Egnatia vazhdoi të ishte më kërkuese dhe në minutën e 62-të shënoi sërish përmes Albaneses, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Lincoln Red Imps arriti të barazonte në minutën e 79-të me Flalhi Idrissin, duke rikthyer baraspeshën në rezultat.
Por reagimi i rrogozhinasve ishte i menjëhershëm. Vetëm dy minuta më vonë, Fernando Medeiros realizoi golin e fitores, pas asistimit të Numan Ajetit, për t’i dhënë Egnatias një triumf të rëndësishëm evropian.
Ndeshja përfundoi 2:1 në favor të Egnatias, e cila regjistron kështu fitoren e parë në këtë edicion të Conference League.
Pas tri ndeshjeve të zhvilluara, skuadra shqiptare ka grumbulluar pesë pikë dhe mbetet në garë për një vend në fazën e plejofit.