Ish-portieri i njohur italian, Angelo Peruzzi, ka dhënë një deklaratë interesante për futbollin modern, duke pranuar se pasioni i tij për këtë sport nuk është më i njëjtë.
Legjenda e futbollit italian, e cila gjatë karrierës mbrojti portën e Romës, Juventusit, Lazios dhe Interit, në një intervistë për gazetën prestigjioze La Gazzetta dello Sport ka kritikuar drejtimin që ka marrë futbolli në ditët e sotme.
Peruzzi, i cili ishte pjesë e Juventusit në periudhën e sukseseve të mëdha të klubit, përfshirë triumfin në Kupën Interkontinentale në Tokio, zbuloi se tashmë nuk i ndjek më ndeshjet si dikur.
Paratë dhe televizioni kanë dominuar futbollin
Duke folur për humbjen 4:1 të Italisë ndaj Belgjikës, Peruzzi tregoi se as nuk e kishte shikuar atë takim.
Po, pasioni im për futbollin nuk është më i njëjtë. E di që humbëm 4:1 nga Belgjika, por nuk e pashë ndeshjen. Nuk e ndjek më futbollin. Sot dominojnë vetëm paratë dhe televizioni. Nuk dua të flas keq për atë që më ka ushqyer për kaq shumë vite, por pyes veten se çfarë ka mbetur prej tij. Pasioni duket minimal, u shpreh Peruzzi.
Ai kritikoi edhe formatin aktual të Ligës së Kampionëve, duke theksuar se nuk i pëlqen faza e gjatë e ligës, ndërsa rezervoi kritika edhe për Kupën e Botës me 48 kombëtare.
I mungon futbolli i thjeshtë, ashtu si në fëmijëri
Ish-portieri italian pranoi se mund të konsiderohet tradicionalist, pasi për të futbolli ka një bukuri që nuk lidhet vetëm me taktikat dhe rezultatet.
Ajo që i mungon më shumë janë ndeshjet e vogla në fund të stërvitjeve, kur futbollistët luanin thjesht për kënaqësi.
Në një moment dëgjon shumë diskutime të gjata për taktikat, por në fund të fundit futbolli mbetet një lojë 11 kundër 11. E vetmja gjë që më mungon është ndeshja e vogël në fund të stërvitjes, kur luan si fëmijë, vetëm për argëtim. Në atë moment miqtë më të mirë bëhen kundërshtarë, por gjithçka kalon menjëherë. Aty qëndron thelbi i futbollit. Aty e sheh shpirtin e lojtarit, përfundoi Peruzzi.
Angelo Peruzzi konsiderohet një nga portierët më të njohur të futbollit italian. Ai u shpall portieri më i mirë i Serie A në vitet 1997, 1998 dhe 2007, ndërsa me Juventusin fitoi trofe të rëndësishëm në arenën vendore dhe ndërkombëtare.