Senegali është kampioni i Kupës së Afrikës, pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka vendosur të martën në favor të tij, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm të Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF), që ia kishte njohur titullin Marokut.
Senegali kishte triumfuar 1:0 ndaj Marokut në finalen e zhvilluar më 18 janar 2026, pas vazhdimeve, në një ndeshje të shoqëruar me polemika të mëdha.
Momenti më kontrovers ndodhi kur gjyqtari akordoi penallti për Marokun. Në shenjë proteste ndaj këtij vendimi, futbollistët e Senegalit u larguan përkohësisht nga fusha, ndërsa ndeshja vazhdoi pas rikthimit të tyre.
Megjithatë, Brahim Diaz nuk arriti ta shndërronte në gol penalltinë, ndërsa Pape Gueye shënoi golin e fitores për Senegalin në vazhdime.
Më 17 mars, Komisioni i Apelit i CAF-it vendosi që Senegali ta humbiste ndeshjen në tavolinë me rezultat 3:0, duke ia dorëzuar titullin Marokut.
Ky vendim u kundërshtua nga Federata e Futbollit të Senegalit, e cila iu drejtua CAS-it në Lozanë, duke kërkuar anulimin e tij dhe njohjen e rezultatit të arritur në fushë.
Pas shqyrtimit të ankesës, CAS-i vendosi në favor të Senegalit, duke ia rikthyer titullin e kampionit të Afrikës dhe duke rrëzuar vendimin që ia kishte dhënë trofeun Marokut.
Kështu, Senegali konfirmohet kampion i Afrikës, ndërsa finalja e janarit vazhdon të mbetet një nga ndeshjet më të diskutueshme në historinë e futbollit afrikan.