Chelsea po kalon një periudhë të vështirë nën drejtimin e trajnerit Xabi Alonso, i cili po përballet me kritika të shumta pas rezultateve zhgënjyese në Premierligë.
Humbja e fundit e pësuar të premten ishte e gjashta në 12 ndeshje kampionale për londinezët, të cilët kanë rënë në vendin e tetë të tabelës. Në varësi të rezultateve të tjera të kësaj xhiroje, Chelsea mund të zbresë edhe më poshtë.
Situata është edhe më shqetësuese për faktin se Chelsea nuk garon në Evropë dhe mund të përqendrohet plotësisht në kampionat. Megjithatë, rezultatet nuk janë në nivelin e pritshmërive.
Statistikat tregojnë se Alonso ka pasur një fillim më të dobët sesa paraardhësi i tij, Liam Rosenior. Ky i fundit kishte regjistruar gjashtë humbje në 13 ndeshjet e para në Premierligë, ndërsa Alonsos i janë dashur vetëm 12 ndeshje për të arritur të njëjtin numër humbjesh.
Trajneri spanjoll e ka pranuar se skuadra po kalon një moment të vështirë, por ka kërkuar unitet dhe punë për ta ndryshuar situatën.
“Është e sigurt se ky është një moment i vështirë. Është e vështirë të vini sërish këtu dhe të humbni, por duhet të përpiqemi të gjejmë zgjidhje, të qëndrojmë së bashku dhe t’i tejkalojmë këto momente të vështira”, deklaroi Alonso.
Ai foli edhe për problemet në mbrojtje, pasi Chelsea ka pësuar 23 gola.
“Na duhet një ekuilibër më i mirë. Nuk ka rëndësi vetëm mënyra se si sulmojmë, por duhet të jemi shumë më të mirë edhe në mbrojtje. Ka shumë gjëra që nuk po i bëjmë siç duhet”, theksoi trajneri.
Nën kritika janë edhe disa prej futbollistëve kryesorë. Cole Palmer është larg formës së tij më të mirë, ndërsa Wesley Fofana po përballet me kritika të shumta.
Në ndeshjen e ardhshme, Chelsea do të kërkojë rikthimin te fitorja përballë Crystal Palace, në stadiumin “Stamford Bridge”.
Megjithatë, më pas londinezët i presin tri sfida shumë të vështira: kundër Liverpoolit dhe Aston Villas në shtëpi, si dhe përballja si mysafirë me Manchester Cityn.