Pep Guardiola ka zbuluar se marrja e drejtimit të Bayern Munichut në vitin 2013 ishte sfida më e madhe e karrierës së tij si trajner.
Në një intervistë për Romario TV, trajneri spanjoll është rikthyer te periudha kur u largua nga Barcelona dhe mori drejtimin e gjigantit gjerman, i cili sapo kishte përjetuar një nga sezonet më të suksesshme në histori, duke fituar tripletën nën drejtimin e Jupp Heynckes.
Guardiola ka treguar se vështirësia kryesore nuk ishte mungesa e gatishmërisë së futbollistëve për ta dëgjuar, por fakti se ata tashmë kishin fituar gjithçka.
Sfida ishte t’i bindte për idetë dhe filozofinë e tij të futbollit, në një skuadër që vinte pas triumfit në Ligën e Kampionëve, Bundesligë dhe Kupën e Gjermanisë.
Ish-trajneri i Barcelonës e ka krahasuar këtë përvojë me fillimin e aventurës së tij te klubi katalunas në vitin 2008, kur kishte marrë drejtimin e një skuadre që po kalonte një periudhë të vështirë.
“Kur mora drejtimin e Barcelonës, skuadra e kishte përfunduar sezonin 18 pikë prapa Real Madridit. Kur shkon te një ekip në një situatë të tillë, lojtarët janë më të gatshëm t’i dëgjojnë idetë e tua, sepse gjërat nuk kanë shkuar mirë dhe ata duan të përmirësohen”, ka shpjeguar Guardiola.
Ndërsa për situatën te Bayerni, ai ka theksuar:
“Kur shkon te një skuadër që sapo ka fituar tripletën, çfarë mund të fitosh më shumë? Praktikisht, nuk kishte mbetur asgjë tjetër për të arritur”.
Megjithatë, Guardiola ka vlerësuar lart ndihmën që mori nga disa prej futbollistëve kryesorë të skuadrës bavareze. Ai ka veçuar Philipp Lahmin, Toni Kroosin, Manuel Neuerin dhe Thomas Müllerin, duke thënë se ata e ndihmuan jashtëzakonisht shumë gjatë asaj periudhe.
Guardiola qëndroi te Bayern Munichu për tri sezone, nga viti 2013 deri në vitin 2016. Gjatë kësaj kohe, ai fitoi tri tituj radhazi të Bundesligës dhe dy Kupa të Gjermanisë, por nuk arriti ta fitonte Ligën e Kampionëve.
Pavarësisht këtij fakti, periudha në Gjermani mbetet një nga kapitujt më të rëndësishëm të karrierës së trajnerit spanjoll.