Hansi Flick ka vendosur t’i besojë sërish Joan Garcias për ta mbrojtur portën e Barcelonës në ndeshjen e sontme kundër Sabahut, në kuadër të xhiros së pestë të Ligës së Kampionëve, që zhvillohet në Baku.
Pavarësisht shqetësimeve në gjurin e djathtë, të cilat portieri i Barcelonës i ndjeu gjatë ndeshjes së fundit ndaj Villarrealit, trajneri gjerman nuk ka ndërmend ta ndryshojë zgjedhjen e tij për këtë takim.
Joan Garcia kishte përfunduar ndeshjen ndaj Villarrealit me dhimbje, për shkak të një edeme kockore në gjurin e djathtë. Madje, Flick ishte pranë aktivizimit të Dominik Livakovic për ta zëvendësuar, pasi portieri spanjoll kishte shfaqur shenja shqetësimi.
Megjithatë, vetë Garcia e kishte qetësuar trajnerin, duke i bërë të ditur se ishte në gjendje të vazhdonte. Ai gjithashtu u stërvit normalisht në prag të ndeshjes në Baku dhe i konfirmoi stafit teknik se ndihej mirë.
Kështu, gjithçka tregon se portieri nga Sallent do të jetë sërish titullar, duke vazhduar besimin e plotë që Flick ka në të këtë sezon.
Garcia ka qenë zgjedhja e parë e trajnerit gjerman në pothuajse të gjitha ndeshjet e këtij edicioni. Përjashtim bëri vetëm përballja me Sevillan, më 19 shtator, kur mungoi për shkak të një problemi në meniskun e gjurit të djathtë, pas një rrëshqitjeje në ndeshjen ndaj Racing Santanderit.
Në atë takim debutoi me fanellën e Barcelonës portieri kroat Dominik Livakovic, ndërsa katalunasit triumfuan me rezultat 3:1.