Vushtrria befason Gjilanin, shënon fitoren e parë – Drenica dhe Feronikeli 74 ndahen në paqe
Drenica dhe Feronikeli 74 kanë luajtur baras 2:2, në ndeshjen e vlefshme për javën e tetë të Albi Mall Superligës së Kosovës, të zhvilluar të shtunën mbrëma në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
Mysafirët kaluan në epërsi që në minutën e dytë, me golin e Lorik Dobratiqit, ndërsa vetëm tri minuta më vonë Kreshmir Luetiq shënoi autogol, duke bërë që rezultati të barazohej në 1:1.
Në pjesën e dytë, Drenica kaloi në epërsi me kapitenin Genc Hamiti, i cili realizoi nga afërsia në minutën e 62-të. Megjithatë, Feronikeli 74 reagoi dhjetë minuta më vonë, kur Ibrahim Cërvadiku shënoi për rezultatin përfundimtar 2:2.
Në minutat shtesë, Feronikeli 74 pretendoi për penallti, por pas rishikimit të aksionit në VAR u konstatua pozitë jashtë loje gjatë ndërtimit të tij.
Pas këtij barazimi, Drenica renditet në vendin e shtatë me 10 pikë, ndërsa Feronikeli 74 ka shtatë pikë dhe zë vendin e tetë, që dërgon në barazh.
Vushtrria ka regjistruar fitoren e parë në këtë edicion të Albi Mall Superligës, duke e mposhtur Gjilanin me rezultat 1:0, në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Golin e tri pikëve për skuadrën vushtrriase e realizoi sulmuesi Urim Statovci në minutën e 60-të.
Me këtë fitore, Vushtrria arrin në tri pikë dhe barazohet me Llapin, që renditet një pozitë më lart. Gjilani mbetet me 11 pikë, në mesin e tabelës.
